Vendimi që banorët e Strugës të mos i paguajnë faturat e ujit për muajin shkurt, pasi gati një muaj mbetën pa ujë të pastër, për përgjegjësit në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” do të jetë barrë shtesë financiare për ndërmarrjen. Faturat, me vlerë prej mbi 9 milionë denarë, tashmë janë dërguar në adresat e struganëve.
“Faturat janë lëshuar. Një pjesë nga konsumatorët i kanë paguar. Problemi do të lind në të ardhmen. Ka paralajmërime për reshje të reja shiu në periudhën e ardhshme. Mund të kemi përsëri problem dhe turbullim të ujit. Deri ku do të shkojë kjo punë, a do të jetë pa fund që komuna, e cila gjithashtu është në gjendje financiare të vështirë, të mbulojë çdo muaj faturat?”, deklaroi Jovanço Meçkaroski – drejtor i NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi- Strugë.
Meçkaroski thotë se me këtë vendim, qytetarët që i kanë paguar rregullisht faturat vendosen në pozitë të pabarabartë. Nga LSDM thonë se komuna duhet t’i marrë përsipër detyrimet dhe me këtë të tregojë përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Unë propozova që mjetet financiare të reduktohen nga norma e pagave, pasi vitin e kaluar kishim 20 milionë denarë tepricë në këtë normë. Kjo është rreth 350.000 euro”, tha Dimçe Shipinkaroski – këshilltar i LSDM-së.
Ky vendim erdhi pasi Këshilli komunal një ditë më parë me shumicë vendosi që qytetarët të mos paguajnë faturat e shkurtit. “Për” votuan këshilltarët e LSDM-së, të Majtës, AKI-së dhe grupi i këshilltarëve të mbështetur nga Ramiz Merko. Abstenuan VMRO-DPMNE dhe VLEN.
“Për ne është e pakuptueshme që për një periudhë kur uji ka qenë i papërdorshëm për qytetarët, dhe i tillë është klasifikuar edhe nga institucionet, të paguhet faturë për përdorimin e atij uji”, theksoi Faton Pollozhani – këshilltar i BDI-së.
Nga VMRO-DPMNE propozimin e cilësuan si të papërgjegjshëm.
“Nuk ekziston detyrim ligjor që ne të marrim përsipër borxhin me të cilin do ta rrezikojmë ndërmarrjen më tej, ndërsa nga ana tjetër me një hap populist vetë qytetarët do ta paguajnë atë marrje të borxhit”, deklaroi Mite Stefovski – kryetar i Këshillit të Komunës së Strugës.
Banorët e Strugës për një muaj të plotë ujin nuk mund ta shfrytëzonin as për pijë e as për higjienë personale për shkak të ndotjes së burimit.
