4.6 C
Tetovo
E hënë, 9 Mars, 2026
BallinaLajme280 milionë euro më pak për Korridorin 8

280 milionë euro më pak për Korridorin 8

Punimet në projektin strategjik të Korridorit 8, i njohur ndryshe edhe si Korridori i NATO-s, pritet të ngadalësohen ndjeshëm pasi Qeveria ka reduktuar në mënyrë drastike fondet e planifikuara për këtë vit për konsorciumin “Bechtel & Enka”. Nga 300 milionë euro të parashikuara fillimisht, kompania është informuar se gjatë këtij viti do të ketë në dispozicion vetëm 20 milionë euro, që do të thotë 280 milionë euro më pak se sa ishte planifikuar, shkruan gazeta KOHA.

Si pasojë e kësaj situate financiare, konsorciumi amerikano-turk ka nisur menjëherë zvogëlimin e aktiviteteve në terren. Sipas informacioneve nga punëtorët e angazhuar në projekt, tashmë janë larguar 50 punëtorët e parë, ndërsa paralajmërohen edhe masa të tjera reduktuese në periudhën në vijim. Kompania ka njoftuar punëtorët përmes një emaili zyrtar, si dhe gjatë një takimi të organizuar me stafin, se intensiteti i punimeve do të përgjysmohet, ndërsa planifikohet edhe reduktimi i fuqisë punëtore, shkurtimi i orarit të punës dhe ulja e aktivitetit në kantieret e ndërtimit deri në 50 për qind.

Sipas burimeve nga projekti, arsyeja kryesore për këtë vendim është mosrealizimi i pagesave nga ana e shtetit, të cilat janë paraparë në marrëveshjet kontraktuale. Pikërisht nga këto pagesa kompania mbulon edhe pagat e punëtorëve dhe kostot operative të projektit. Konsorciumi “Bechtel & Enka”, një kompani amerikano-turke me përvojë të gjerë në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në shumë vende të botës, sipas asaj që u është komunikuar punëtorëve, nuk është përballur më parë me pengesa të këtij lloji në projektet e saj ndërkombëtare.

Korridori 8 konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, i cili synon të lidhë rajonin me korridoret kryesore evropiane dhe të përforcojë lidhjet ekonomike dhe strategjike në Ballkan. Nëse situata me financimin nuk ndryshon në periudhën e ardhshme, ekziston rreziku që punimet në këtë projekt të rëndësishëm të ngadalësohen ndjeshëm, duke ndikuar jo vetëm në afatet e realizimit, por edhe në numrin e vendeve të punës të krijuara nga ky investim. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments