Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit është shkrirë zyrtarisht për t’i hapur rrugë themelimit të VLEN, vendim që u mor në mbledhjen e fundit të partisë së drejtuar nga Izet Mexhiti. Në këtë takim, Mexhiti u delegua për të vijuar bisedimet dhe hapat e mëtejshëm drejt krijimit të subjektit të ri politik.Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar sekretari i përgjithshëm i LD-së, Muhamet Ameti, i cili theksoi se që nga themelimi i partisë janë mbajtur vetëm tre mbledhje dhe se për tre vite me radhë LD-ja ka funksionuar pa organe dhe pa struktura të konsoliduara. Ai ngriti dilemën se si mund të konsiderohet e “mbyllur” një parti që, sipas tij, asnjëherë nuk ishte organizuar plotësisht.
“Lëvizja Demokratike u mbyll sonte.
Afër tre vite pritje, shpresë dhe besim – por pa organizim, pa organe dhe pa drejtim të qartë.
Kjo duhet të jetë një mësim për të gjithë ne: idealet kërkojnë strukturë, përgjegjësi dhe guxim për të vepruar.”shkruan Ameti pas vendimit të LD_së për shkrirje në VLEN.
Ai rikujtoi gjithashtu një mesazh të publikuar një vit më parë, në përvjetorin e dytë të themelimit të LD-së, ku i ishte drejtuar drejtpërdrejt Mexhitit me thirrjen: “Ose veprojmë seriozisht – ose e mbyllim me nder”, duke kritikuar mungesën e strukturave, organeve dhe drejtimit të qartë brenda partisë.
Pas shkrirjes së LD-së, hapa të ngjashëm drejt konsolidimit në kuadër të VLEN-it kanë ndërmarrë edhe Bilall Kasami dhe Arben Fetahu, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse të njëjtin vendim do ta marrë edhe Alternativa.
