NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi nga Shkupi sekretari i Përgjithshëm i saj, Mark Rutte, i cili theksoi në mënyrë të veçantë se misioni paqeruajtës në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.Teksa fliste për rolin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të aleancës, gjatë vizitës së sotme, Rutte e bëri të qartë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike për aleancën.
“Ky mision vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij. Bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët”, tha shefi i NATO-s, Mark Rutte.Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.
Deklaratat e Rutte-s vijnë në një kohë kur, muajt e fundit, janë shtuar diskutimet për mundësinë e një rishikimi të angazhimit amerikan në misionet e jashtme të NATO-s, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë, Pentagoni ka thënë se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave në KFOR.
