Mësimdhënësit në dhjetë shkollat e Komunës së Çairit ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për këtë muaj, duke shkaktuar shqetësim serioz dhe pasiguri financiare për stafin arsimor. Përmes një reagimi publik, Dega e BDI-së në Çair e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme, veçanërisht në një periudhë kur rritja e çmimeve dhe inflacioni kanë rënduar ndjeshëm buxhetet familjare.
“Në një kohë kur çmimet janë rritur, inflacioni ka goditur çdo familje dhe paga e mësuesit mezi mbulon shpenzimet bazë, vonesa e pagave është e papranueshme. Të mos marrësh pagë fare është cenim i dinjitetit të atyre që mbajnë mbi supe arsimin e fëmijëve tanë”, thuhet në reagimin e BDI-Çair.
Situata, thuhet më tej, bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të afrimit të muajit të Ramazanit, periudhë në të cilën shumë familje përballen me shpenzime shtesë.
“Në këto rrethana, mësimdhënësit dhe stafi administrativ po përballen me pasiguri financiare”, çka sipas BDI-së, nuk duhet të ndodhë në një sektor kaq të rëndësishëm si arsimi.
“Arsimi nuk mbahet me fjalë dhe mësuesit nuk jetojnë me premtime”, theksohet në reagim, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të sqarojnë menjëherë arsyet e vonesës dhe të sigurojnë pagesën e pagave pa asnjë shtyrje tjetër.
Nga BDI-Çair theksojnë se respekti ndaj mësuesit fillon me pagesën në kohë, duke apeluar për zgjidhje urgjente të situatës dhe për garantimin e dinjitetit të punonjësve në arsim.
