4.1 C
Tetovo
E hënë, 16 Shkurt, 2026
BallinaOpinionPremtime Zylali Deliaj, Këshilltare e ASH – Strugë/“Fol maqedonisht” në Strugë? (Dokument)

Premtime Zylali Deliaj, Këshilltare e ASH – Strugë/“Fol maqedonisht” në Strugë? (Dokument)

Të dëgjuar e kam që pas viteve 80 në ish Jugosllavi, sistemi i atëhershëm kur dëgjonte një fjalë në gjuhën shqipe brenda institucioneve, menjëherë reagonte për të folur maqedonisht.

E kjo mori përmasa edhe më të mëdha. Shqiptarëve ju thuhej në rrugë, në kafene e gjithkund tek i dëgjonin që flisnin shqip me njëri tjetrin “fol maqedonisht”.
Nuk e kisha besuar që edhe sot, pas shum sakrificash për të rrënuar një sistem antishqiptar, mu në mes të Strugës të perjetoj rrëfenjat e të parëve që e jetuan atë kohë, në lëkurën time si e zgjedhur nga populli!

“Fol maqedonisht” është pergjigja e institucioneve të Komunës së Strugës, thua ti se i jam drejtuar Komunës së Kraljevës e jo Komunës së Strugës!

Ashtu siç tashmë jeni të informuar, ditë më parë, si këshilltare komunale, por para së gjithash si qytetare e Strugës, i’u drejtova Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe kanalizim” në Strugë me disa pyetje konkrete për të sqaruar situatën e krijuar për një problem jetik që tangon struganët, ndotjen e ujit për pije.
Por, në përgjigjen që më kthyen nga kjo ndërmarrje, doli në pah një problem tjetër edhe më skandaloz!
Ndërmarrja në fjalë, ka refuzuar në mënyrë implicite të trajtojë kërkesën time për qasje në informacion me karakter publik, duke më kthyer përgjigje (kërkesë) vetëm në gjuhën maqedonase dhe duke kërkuar që kërkesa ime të dorëzohet sërish në gjuhën maqedonase në mënyrë që të përpunohet!

Kërkesa ime është dorëzuar në gjuhën shqipe – në gjuhën time amtare, në gjuhën e mijëra qytetarëve të kësaj komune – në përputhje të plotë me Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i cili garanton përdorimin zyrtar të shqipes në Republikën e Maqedonisë së Veriut!
Megjithatë, ndërmarrja zgjodhi të më përgjigjet vetëm në gjuhën maqedonase dhe të kërkojë që unë ta përkthej kërkesën time, sikur qytetarët shqiptarë të ishin të dorës së dytë!

Kjo nuk është thjesht një çështje administrative. Kjo është çështje dinjiteti. Është çështje barazie.
Është e papranueshme që një institucion publik, i financuar nga taksat e qytetarëve, të vendosë barriera gjuhësore dhe administrative për të shmangur transparencën.

Refuzimi për t’u përgjigjur në gjuhën në të cilën është parashtruar kërkesa nuk është vetëm mungesë respekti institucional, por tentativë për t’iu shmangur transparencës. Ndërkaq, transparenca nuk është çështje vullneti, por detyrim ligjor.
Institucionet publike nuk janë pronë e askujt, ato duhet të jenë në shërbim të qytetarëve!

Kështu, edhe njëherë, publikisht kërkoj që të respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe të jepet përgjigje e plotë në gjuhën shqipe për kërkesën e dorëzuar!

Në të kundërtën, e gëzofshim “ndryshimin” e premtuar!

– Premtime Zylali Deliaj, Këshilltare e ASH – Strugë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments