Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Tetova Transport” ka vënë në funksion biletat digjitale dhe kartelat me pagesë të ashtuquajtura TE KLIK- PREPAID dhe këtë mund ta përdorin të gjithë qytetarët pavarësisht se ku jetojnë, duke lehtësuar procesin e pajisjes me bileta.
Ky vendim synon të shpërblejë përgjegjësinë qytetare dhe njëkohësisht të lehtësojë lëvizjen urbane për kategori të ndryshme të shoqërisë, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sipas tij, ky është një hap konkret drejt një qyteti më funksional dhe më të drejtë, ku përgjegjësia qytetare vlerësohet dhe përkthehet në përfitime reale për qytetarët, institucionet dhe organizatat, një premtim që bëhet realitet.
“Kurse për qytetarët të cilët kanë shlyer të gjitha obligimet ndaj Komunës së Tetovës, transporti publik do të jetë falas, mjafton që ata të aplikojnë në TE KLIK, edhe për anëtarët e familjes që jetojnë në të njëjtën adresë, dhe pas aplikimit kartela merret personalisht në zyrat e Ndërmarrjes ‘Tetova Transport’ dhe kështu transportin publik do ta kenë falas”, deklaroi Kasami. Më tej ai tha se në anën tjetër ka edhe bileta për kategorinë J.
“Kjo është një biletë për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Tetovës, ku lista bëhet nga shkollat përkatëse dhe nxënësit pajisen me kartelë e cila është falas”, sqaroi kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Po ashtu u promovuan edhe biletat për një kategori tjetër. “Kemi edhe një grup ku bëjnë pjesë Institucionet dhe Shoqatat respektivisht Kategoria K, edhe atë vetëm institucionet dhe organizatat që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Tetovës”, njoftoi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që deri në fund të muajit të pajisen me bileta elektronike.
