Anëtarë të “Besës” kanë ankesa për mënyrën e komunikimit të Ministrit Fatmir Limanit ndaj tyre, për këtë arsye organet partiake mund të vendosin që ta tërheqin atë nga posti në Qeveri, tha kreu i Besës Bilall Kasami, duke u shprehur i sigurt se partia i ka në dorë emrat e saj që i vendos në pozita në ekzekutiv.“Sigurisht, përderisa është në atë pozitë si propozim i VLEN-it që ka ardhur nga Lëvizja BESA edhe rikonstruimin eventual, i pari që do të ndodh, do të vijnë propozimet nga VLEN dhe sigurisht që duke respektuar propozimet nga subjektet të cilat e përbëjnë VLEN-in”, tha Bilall Kasami.Për këtë çështje Kasami paralajmëroi se do të flitet sonte në kuvendin partiak.
E i pyetur nga TV21, ministri Limani tha se nuk dëshiron të komentojë deklarata hipotetike dhe se një qëndrim zyrtar do ta ketë vetëm nëse do ketë hapa konkret nga organet kompetente apo nga subjekti politik.
“Lidhur me deklaratën e z. Kasami se gjoja disponon kompetenca për shkarkimin e ministrit, Fatmir Limani nuk do të komentoj pretendime politike apo deklarata hipotetike. Unë do të prononcohem publikisht në momentin kur të ekzistojë një vendim konkret, zyrtar dhe institucional nga subjekti apo organi kompetent. Deri atëherë nuk e konsideroj të arsyeshme të hyjë në debat me deklarata politike”, thonë nga kabineti i Fatmir Limani.
Po kryeministri është i kënaqur nga puna e Limanit dhe ia rikujtoi Kasamit se kush është mandatari që vendos se kush hyn e kush del nga pozitat.
“Unë jam i kënaqur me punën e z.Fatmir Limanit dhe mendoj se është vlerë e shtuar në Ministrinë për politikë sociale, demografi dhe rini. Unë jam mandatar i qeverisë dhe unë e bëj qeverinë. Nëse dikush këtë e ka harruar, ja po ju rikujtoj”, tha Hristijan Mickoski.
Një emër tjetër që Kasami e përmendi mbrëmë në Click Plus, është drejtori i metrologjisë Sedat Rushani, për të cilin tha se e ka shkarkuar për shkak të pakënaqësisë nga puna e tij. Drejtori I shkarkuar reagoi duke pyetur se kush e ka bërë këtë vlerësim, apo arsyeja e vërtetë, sipas tij, është se nuk kam pranuar pazare, korrupsion dhe nënshtrim, gjë që sipas Rushanit, kjo nuk i ka pëlqyer lidershipit.
