(Tregimi është një ngjarje e jetuar në prillin e vitit 1944, e treguar nga ish-partizani i Br 6 Sulmuese, SELAM SULAJ, nga Dhëmblani i Tepelenës.)
Pas operacionit gjerman të Dimrit, (19 Dhjetor 1943 – 15 Shkurt 1944), forcat tona partizane dolën më të forta e më të përgatitura nga ana luftarake, dhe këtë përgatitje ato e fituan gjatë luftimeve dhe betejave kundër pushtuesve nazi-fashistë.
Dihet që, menjeherë pasi mbaroi ai operacion i armikut doli Urdhëri i Komandës së Përgjithshme e Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, i shokut Enver Hoxha, për të kaluar në mësymje të përgjithshme, ku edhe Brigada jonë u hodh në mësymje.
Ofensiva e jonë e madhe mësymëse i bëri armiqtë që tu lëkundej toka nën këmbë. Luftimet fyta-fyt me gjermanët na ishte bërë si gjë e zakonshme. Nuk janë të pakta rastet që gjermanët befasoheshin dhe tmerroheshin nga aktet heroike të partizanëve por dhe të popullit tonë.
I nderuar Dilaver, unë do të përpiqem t’u riprodhoj një aspekt jashtëzakonisht interesant nga qëndrimi heroik i nënave trimëresha të partizanëve tanë, që përveç bukës, ato ndanë me ne edhe gjakun e djemve të tyre, duke ia besuar jetën e tyre Ushtrisë sonë Partizane.
Gjatë kalimit tonë në mësymje të përgjithshme, një nga repartet e brigadës tonë partizane në përpjekje me armikun kishte zënë rob një kolonel gjerman. Në atë periudhë unë isha 17 vjeç djalë.
Si të gjithë robërve, edhe atij do t’i bëhej gjyqi. Madje, gjyqi i atij oficeri gjerman, mbaj mend se pritej me interes të madh si nga partizanët ashtu edhe nga komandanti dhe komisari I Brigadës, Tahir Kadare dhe Mustafa Matohiti, për të vetmin rast, për të cilin do t’ua tregoj dhe lutem ta botoni.
Para se ta nisnim kolonelin gjerman për në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, ku një prej katër partizanëve të grupit që do ta shoqëronte kolonelin gjerman, isha edhe unë. Ai donte të na tregonte një ngjarje, ku prezent ishin edhe komandanti dhe komisari i Brigadës. Ai na tha se në luftën me popullin tonë atij i kishin bërë përshtypje shumë gjëra dhe, çështë e vërteta foli shumë, por mua më ka mbetur në kujtesë të plotë, ashtu sikundër na e përkthente përkthyesi, ngjarja e mëposhtme:
“Para se të vija këtu, në Shqipëri, kam qenë në Greqi. Bëja pjesë në Divizionin Malor të Korparmatës XXII, me qendër në Athinë. Na u dha urdhër që një pjesë e Divizionit të nisej për në Shqipëri. U nisëm. Ishte autokolonë shumë e madhe. Pasi kaluam kufirin shqiptar dhe pas disa orë udhëtimi, kaluam Tepelenën dhe u futëm në një terren tepër malor dhe shkëmbor. Një rrugë e gjatë që s’kish të mbaruar. Po shkonim në drejtim të Vlorës. Partizanët shqiptarë na kishin zënë prita dhe na sulmuan rrugës disa herë. Kuptohet që patëm edhe të vrarë, ndaj dhe si kundërpërgjigje kemi djegur e shkatërruar fshatra të tëra, të cilat ishin nëpër shkrepa. Por në një nga rrethimet që patëm, edhe pse i përdorëm të gjitha armët që patëm në kolonë, nuk e çamë dot rrethimi. Ndaj dhe vendosëm që të sulmonim me të gjitha forcat, nën mbështetjen e artilerisë, të cilën nuk e kishim të pakët, sidomos murtajat. Njërën prej kompanive që u urdhërua t’u merrte krahët forcave tuaja, me qëllim që të mund të gjenim një shteg të lirë, m’u ngarkua mua. Pasi vrojtova mirë terrenin me dylbi, m’u duk se në drejtim të një shkëmbi nuk kishte rebelë, ngaqë nuk ishim qëlluar deri atëherë nga ai shkrep. Vendosa që pasi të merrja atë majë shkëmbi, t’i sulmoja rebelët në shpinë. Por, çuditërisht, porsa mbrita afër shkëmbit, në majë të tij na doli një fshatar me një feste të bardhë në kokë, i cili, porsa na pa, na griu me një mitraloz italian. Na gozhdoi. As nuk mund të ecnim përpara, por as edhe nuk mund të tërhiqeshim. Prandaj, pasi u futëm poshtë gurëve të shpellës, kërkova në radio që të përqëndrohej zjarri i murtajave në majë të atij shkëmbi. Dhe ashtu vepruam. Pasi u hodhën dhjetra predha murtajash nuk e dëgjuam më zjarrin e mitralozit italian dhe vendosëm të përparonim.
Porsa u ngritëm, u qëlluam përsëri. Por tani nuk shihnim më burrin me feste të bardhë, por një djalë shumë të ri. E asgjësuam edhe atë po me zjarrin e murtajave.
Kur forcat rebele u tërhoqën, urdhërova që të dy ata rebelët e shkëmbit t’i zbrisnin në rrugë dhe t’i varrosnim sikundër u ka hije trimave. Ne gjermanët e respektojmë trimin.
Ndërkohë që po grumbullonim forcat dhe materialet, kurse disa ushtarë përgatisnin varrimin e rebelëve trima të vrarë, shoh se në drejtimin tonë po afrohej një grua e gjatë, veshur kokë e këmbë me të zeza (tumane, S.S), e një moshe 40- 50 vjeçare me trup të gjatë e të drejtë.
Të them të drejtën, porsa e pashë duke ecur me atë hapin e saj të sigurtë, duke tërhequr prej kapistre një mushkë, m’u përfytyruan gratë e legjendës së Spartës, për të cilat kisha lexuar në rininë time.
Ajo, pasi mbriti para kufomave, që më vonë mësuam se ishin i shoqi dhe i biri i asaj gruaje, u ul në gjunjë, u mbylli sytë dhe fliste diçka me zë, por që ne nuk kuptonim asgjë. Mënyra se si qante dhe vajtonte ajo grua, na shtangu jo vetëm mua, por edhe ushtarët. Qëndronim të mahnitur. Qante duke u kërkuar në trup plagët, i puthte ato dhe pastaj u rregullonte përsëri rrobat, dhe pastaj i largoi nga njeri – tjetri, duk i mbështjellë secilin me një robë të leshtë e të madhe, (velenxa, S.S).
Kur i mbaroi së rregulluari, u ngrit, në këmbë dhe mori mushkën dhe e vendosi mes tyre.
Atëhere e kuptova se do t’i ngarkonte, ndaj dhe iu afrova, duke i bërë shenjë përkthyesit që të afrohej dhe, duke iu drejtuar asaj i thashë: ‘Deshën të na vrisnin, ndaj dhe i vramë. Kuptohet që ty të vjen keq, por nuk kishim si të vepronim ndryshe. Po të mos i vrisnim, do të na vrisnin ata neve. Ne nuk kishim punë me ata, ata na ranë në qafë”.
Më shikonte drejt në sy me një rreptësi që nuk e kisha ndjerë kurrë deri atëhere. Kur mbarova së foluri m’u afrua ngadalë dhe papritur më pështyu në fytyrë, duke më folur në gjuhën e saj.
Përkthyesi më vonë më shpjegoi se më kishte thënë: “Bisha, qën, unë jam krenare që m’u vranë për Shqipërinë me bisha si ju. Lypsmuni!”.
U kthye, mori mushkën dhe, pasi ngarkoi të parin, vendosi një shkop posht tij dhe pastaj ngarkoi të dytin. Në anën ku kishte ngarkuar djalin vendosi edhe një gur, të cilin e zevendësoi disa herë me madhësi të ndryshme, derisa vendosi ekilibrin.
Duke përfituar nga nga koha dhe heshtja që mbretëronte, vendosa të rreshtoj ushtarët, dhe pasi i rreshtova, i urdhërova të mbushnin armët”.
“Pse?!”, – e pyeti papritur komisar Hakiu (Toska) – “E vratë edhe atë?!”
“Jo, jo.” – u përgjegj gjermani. – “Për ta respektuar, pasi në jetën time nuk më kishte ndodhur kurrë të shihja një skenë të tillë dhe një grua kaq trime, si ato të legjendave. Dhe në momentin që ajo u nis të shkonte në drejtimin nga erdhi, urdhërova tre herë: Fojer! Fojer! Fojer! (Zjarr! Zjarr! Zjarr!”)
Shënim: Botuar për herë të parë në gazetën lokale “Griba”. Nr.31, Gusht 2011
