9.1 C
Tetovo
E enjte, 5 Shkurt, 2026
BallinaLajmeProvimi i jurisprudencës vetëm në maqedonisht: BDI sot kërkon zgjidhje që vetë...

Provimi i jurisprudencës vetëm në maqedonisht: BDI sot kërkon zgjidhje që vetë nuk e dha për 20 vjet

BDI-ja, që sot shpreh mbështetje të plotë për studentët shqiptarë që kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, gjatë periudhës së saj në qeverisje nuk ka bërë asnjë hap konkret për ta zgjidhur këtë problem. Portalb.mk prej ditësh pret përgjigje nga BDI-ja se pse nuk u gjet zgjidhje gjatë 20 viteve të saj në pushtet, por deri në këtë moment, heshtje, derisa dërgon kumtesa për mediat. Kjo situatë tregon një kontrast të madh të kësaj partie. Ajo sot pozicionohet si avokate e barazisë gjuhësore, ndërkohë që kur kishte mundësinë reale ligjore dhe institucionale për ta adresuar këtë çështje, nuk veproi, raporton Portalb.mk.

Studentët shqiptarë të fakulteteve juridike kërkojnë të drejtën kushtetuese dhe ligjore për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Vendimi i fundit i Ministrisë së Drejtësisë për ta lejuar provimin vetëm në gjuhën maqedonase ka ngjallur reagime të forta, përfshirë mbështetjen e BDI-së, e cila sot deklaron se ky vendim është shkelje e të drejtave kolektive dhe barrierë për pjesëmarrjen e barabartë në sistemin gjyqësor.

Por ka një kontradiktë të dukshme, BDI-ja ka qenë pjesë e qeverisë për rreth 20 vite dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka bërë asnjë hap konkret për të zgjidhur këtë problem. Madje, Portalb.mk prej ditësh pret përgjigje nga partia se pse nuk gjeti zgjidhje ligjore për barazinë gjuhësore në jurisprudencë gjatë qeverisjes së saj, por derisa dalin me kumtesa për mediat, nuk kanë gjetur deri tani akoma kohë për të na kthyer përgjigje.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mbështetje të plotë dhe të pakursyer për studentët shqiptarë të fakulteteve juridike, të cilët me të drejtë kërkojnë respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese në sistemin e drejtësisë. Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, i drejtuar nga Igor Filkov, për të refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, përbën një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe një barrierë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor. Arsyetimet e dhëna nga Ministria, të mbështetura në interpretime selektive të ligjeve dhe në hierarki të njëanshme ligjore, janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me standardet evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit. Ky vendim nuk është vetëm një çështje teknike apo administrative, por ka pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e kthyer gjuhën në filtër për profesionin e juristit dhe duke pamundësuar avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë”, thonë nga BDI-ja opozitare, dikur në pushtet për 20 vjet.

Ajo thotë se gjatë qeverisjes së saj për rreth 20 vite, vetëm në fund të pushtetit, përgatiti zgjidhje ligjore për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por nuk u dha kurrë jetë këtyre propozimeve. Nuk u ndërmor asnjë veprim konkret për t’i kaluar ato në praktikë dhe për të garantuar barazi reale gjuhësore në sistemin e drejtësisë. Sot, kur nuk është më në pushtet, BDI-ja shfaqet si mbrojtëse e barazisë gjuhësore, ndërkohë që historikisht ka munguar veprimi i duhur.

“Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim”, thonë nga kjo parit.

BDI sot kërkon përgjigje të qartë dhe publike:

• A është ky një qëndrim individual i ministrit Filkov, apo qëndrim zyrtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut?
• Nëse është qëndrim i Qeverisë, a është marrë ky vendim me konsensus të plotë dhe a janë pajtuar me të edhe ministrat shqiptarë?
• A e ka ndërmend Qeveria që, qoftë edhe një herë, të respektojë dygjuhësinë e sanksionuar me Kushtetutë dhe ligj?

Provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues). Ky është arsyetimi të cilin e dha Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk pas peticionit të studentëve shqiptarë të cilët kërkuan që krahas provimit të jurisprudencës në maqedonisht, i njëjti të mbahet edhe në shqip.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments