4 C
Tetovo
E shtunë, 31 Janar, 2026
BallinaLajmeNON-PAPER i BDI-së drejtuar ndërkombëtarëve: Pa barazi s’ka stabilitet!

NON-PAPER i BDI-së drejtuar ndërkombëtarëve: Pa barazi s’ka stabilitet!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm i ka dhënë “dritë jeshile” një Non-Paper strategjik, i cili do t’u përcillet përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut. Non-Paper përmban shqetësimet, qëndrimet dhe prioritetet politike të partisë së Ali Ahmetit lidhur me stabilitetin institucional, funksionimin demokratik të shtetit, sundimin e ligjit dhe rrugën evropiane të vendit, shkruan gazeta KOHA. Në dokument, BDI riafirmon rolin e saj si parti shtetformuese dhe faktor kyç i paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës ndëretnike.

PËRFORCIMI I KARAKTERIT UNITAR PËRMES PËRFAQËSIMIT TË DREJTË
Në dokument, BDI thekson se karakteri unitar i shtetit nuk cenohet nga diversiteti etnik, por përforcohet vetëm atëherë kur të gjitha komunitetet ndihen realisht të përfaqësuar dhe të përfshir në proceset vendimmarrëse.

Sipas BDI-së, uniteti i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet mbi shumicë mekanike apo logjikë të majorizimit, por mbi legjitimitet të dyfishtë, konsensus ndëretnik, respekt të ndërsjellë dhe zbatim konsekuent të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Në këtë kontekst, BDI propozon që formimi i çdo Qeverie të re të bëhet me shumicë të dyfishtë në Parlament (Badenter), pra jo vetëm me shumicën e përgjithshme të deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë.

Ky mekanizëm, sipas dokumentit, garanton legjitimitet të dyfishtë të pushtetit ekzekutiv, parandalon përjashtimin politik dhe etnik dhe forcon stabilitetin afatgjatë të shtetit.

BADENTERI NË KUSHTETUESE, MBROJTJE NGA MAJORIZIMI
Një nga shqetësimet qendrore të Non-Paper-it lidhet me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. BDI vlerëson se ligjet dhe aktet e miratuara me shumicë të dyfishtë në Parlament nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa një shumicë të dyfishtë edhe brenda vetë Gjykatës.

Dokumenti kërkon ndryshime normative që garantojnë se vendimet që prekin drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus ndëretnik, duke ofruar mbrojtje institucionale nga çdo formë e majorizimit etnik dhe duke rritur besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në rendin kushtetues.

DECENTRALIZIMI SI GARANCI PËR DEMOKRACI FUNKSIONALE
BDI mbështet një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal, si mekanizëm për fuqizimin e demokracisë lokale dhe rritjen e efikasitetit të shtetit. Kjo përfshin transferim të mëtejshëm të kompetencave në arsim, shëndetësi, zhvillim lokal dhe administrim të pasurive publike, si dhe rritje të pavarësisë financiare të komunave.

Sipas dokumentit, decentralizimi i thelluar rrit transparencën, përmirëson llogaridhënien, ul ekonominë gri dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve në të gjitha rajonet e vendit.

SUNDIMI I LIGJIT DHE VETING I PAKOMPROMIS
BDI vlerëson se pa institucione të forta dhe të pavarura nuk mund të ketë shtet funksional, ndërsa pa drejtësi të barabartë nuk ka demokraci reale. Në këtë drejtim, dokumenti kërkon veting të plotë, gjithëpërfshirës dhe pa përjashtime, nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Non-Paper-i propozon hetim të të gjithë bartësve të funksioneve publike në 34 vitet e fundit, verifikim të pasurisë dhe prejardhjes së saj, hetim të procesit të privatizimit dhe krijimit të oligarkisë, si dhe hetim të veprimtarisë së strukturave të sigurisë së shtetit që nga viti 1945.

MARRËVESHJE KOMBËTARE PËR PËRPARIM
BDI propozon një Marrëveshje Kombëtare për Përparim, si një kapitull të ri zhvillimor për vendin, e bazuar në konsensus të gjerë politik, shoqëror dhe profesional. Kjo marrëveshje synon ekonomi konkurruese, digjitalizim dhe inovacion, stabilitet makroekonomik, zhvillim të gjelbër, infrastrukturë moderne dhe investim në kapitalin njerëzor. Përparimi, sipas BDI-së, matet me cilësinë e jetës, drejtësinë sociale dhe mundësitë reale që u krijohen qytetarëve.

Në përmbyllje, Non-Paper-i thekson se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik i pakthyeshëm për Maqedoninë e Veriut. BDI riafirmon rolin e saj si garant i kursit evropian, partner i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe faktor stabiliteti në rajon. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments