Tre persona nga Shkupi janë arrestuar nga policia dhe Prokuroria Publike ka nisur hetimet për transportin e 150 kilogramëve marihuanë, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), është ngritur kallëzim penal ndaj M.Z. (37), I.B. (61) dhe G.B. (59), të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe tregtim i paautorizuar i drogës”.
“Konkretisht, më 26.01.2026, M.Z. ka blerë një automjet “Opel Combo” me targa zvicerane nga një person nga Struga, në të cilin, së bashku me I.B., kanë vendosur drogë marihuanë. Ata kanë kontaktuar G.B. për ta transportuar automjetin nga Struga deri në Shkup për një shumë prej 200 eurosh, pasi automjeti nuk ishte në gjendje të vozitej. Pasi mbërritën në Shkup, i pari i raportuar M.Z., së bashku me të raportuarin e dytë I.B., i kërkuan personit të tretë G.B. një shumë prej 40 eurosh që të vazhdonte të voziste deri në Shën Nikollë, pas një automjeti “Mercedes” në të cilin ata udhëtonin. Në një rrugë rajonale pranë Shën Nikollës, pas marrjes së informacionit paraprak se do të realizohej transport i një sasie të madhe droge, policia ndaloi automjetin e ngarkuar “Iveco”, që po transportonte automjetin “Opel Combo”. Gjatë kontrollit të sediljes së pasme dhe hapësirës së bagazhit të “Opel”-it, u gjetën tetë qese që përmbanin 50 pako me marihuanë”, bëhet e ditur në njoftimin e MPB-së.Gjatë kontrollit në një rrugë rajonale pranë Shkupit, policia ka ndaluar automjetin dhe ka gjetur tetë qese me marihuanë, të ndara në 50 pako, me peshë totale 150 kilogramë. Nga ana e Prokurorisë Publike, është dhënë urdhër për fillimin e hetimeve ndaj të treve.
“Pas marrjes së informacionit për transportin e drogës, prokurori ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake vendosjen e masës së paraburgimit, të cilën gjykatësi e ka pranuar për të tre të dyshuarit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Autoritetet thonë se hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
