Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka zhvilluar sot një takim me udhëheqësit e organizatës humanitare “Kalliri i Mirësisë”, e cila vepron në Shkup, me fokus forcimin e bashkëpunimit institucional dhe mbështetjen për familjet në nevojë.
Gjatë takimit u theksua se zhvillimi i komunës nuk matet vetëm përmes investimeve dhe projekteve infrastrukturore, por edhe përmes përkujdesjes ndaj qytetarëve dhe ndërtimit të solidaritetit shoqëror. Mexhiti vlerësoi punën humanitare që “Kalliri i Mirësisë” realizon në terren, duke ofruar ndihmë për familjet dhe grupet më të ndjeshme.
Palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit institucional, me qëllim që solidariteti qytetar të shndërrohet në veprime konkrete dhe mbështetje të qëndrueshme për ata që kanë më së shumti nevojë.
Nga Komuna u bë e ditur se ajo mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat dhe iniciativat që promovojnë humanitetin, përgjegjësinë shoqërore dhe ndihmën ndaj shtresave vulnerabël të shoqërisë.
Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit mes institucioneve lokale dhe organizatave humanitare, në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.
