Pasi Portalb.mk publikoi ofertën të cilën e ka pranuar Komuna e Tetovës nga ‘Ana Agro’ për trajtimin e qenve endacak, ku sipas ofertës trajtimi i një qeni arrinte 23,600 denarë, që është disa herë më i lartë nga ofertat në disa qytete tjera. Sot, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur për këto çmime, u arsyetua dhe tha se marrëveshja është nënshkruar me çmime më të lira se oferta e pranuar. Edhe përkundër kësaj, çmimet mbeten më të larta se në Gostivar, Kërçovë, Ohër dhe Strugë.
Më 5 nëntor 2025, Komuna e Tetovës nënshkroi kontratë në vlerë 3 milionë denarë me Shoqërinë për përkujdesjen e qenve endacakë “Ana Agro”.
Sipas ofertës së dorëzuar nga ‘Ana Agro”, shërbimet për trajtimin e një qeni në total arrinin në 23,600 denarë (382 euro).
Ky çmim është shumë herë më i lartë në krahasim me shumat sipas ofertave të pranuara për trajtimin e një qeni komunat tjera si Struga me 3,466 denarë, Kërçova me 7,021 denarë, apo Ohri me 9,119 denarë.
Komuna e Tetovës edhe pse e pyetur disa herë për detaje rreth kësaj marrëveshjeje, me javë kanë injoruar përgjigjet gazetareske.
Ndërsa sot i pyetur pikërisht për këto çmime, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kontrata me “Ana Agro” nuk është nënshkruar në bazë të ofertës, por me çmime më të lira, dhe se çmimi për trajtimin e një qeni shkon në rreth 14 mijë denarë.
“Bëhet fjalë për shërbime të caktuara, nuk mundet një qen në të njëjtën kohë edhe të vritet me eutanazi në bazë të ligjit por edhe të trajtohet për tu rikthyer përsëri në ambient, pra ato vlera janë vlera totale dhe në varësisht nga shërbimet që ofrohen aty është edhe vlera e shërbimit të përgjithshëm, pra aty mund të ketë një shërbim, në rastin e Tetovës, strehimorja ofron 13 shërbime dhe për atë 13 shërbime është ajo vlerë”, tha Kasami.
Sipas tij, nuk mund të krahasohen shërbimet mes qyteteve.
“Ka qytete që nuk kanë strehimore pro ofrojnë vetëm kastrimin dhe dy tre shërbime, pra nuk mund të krahasohet një qytet me një qytet tjetër sepse varret nga shërbimet të cilat i ofron operatori për trajtimin e qenve endacakë”, tha Kasami.
Mirëpo i pyetur për çmimet e shërbimeve nga oferta, ku për shembull transportimi i një qeni kushton 1,000 denarë, ndërsa komunat tjera këtë çmim e kanë shumë herë më të ulët, Kasami tha se vlerat janë ulur.
“Në bazë vlerave që janë ofruar, vlera është përgjysmuar, nuk është 23 mijë por është diku 14 mijë”, tha Kasami.
Sipas kontratës së nënshkruar, çmimet e individuale janë në vlerë prej 14.499,00 denarë, pa TVSH dhe se çmimet e përcaktuara në kontratë janë fikse.

Nëse kësaj i shtohet TVSH-ja, prej rreth 2,600 denarë. Çmimi total shkon në rreth 17 mijë denarë, dhe mbetet përsëri më i lartë se në Gostivar, Strugë, Kërçovë apo Ohër.
Në lidhje me këto çmime, Portalb.mk konsultoi një veteriner cili i njeh mirë procedurat dhe mënyrën se si bëhet trajtimi i qenve endacakë.
“Nuk është reale kjo. Këtu nuk punohet asgjë, këtu vetëm vidhen para. Këtu kanë hyrë për të bërë krim financiar”, tha ai.
Sipas tij, harxhimet reale për trajtimin e një qeni endacak shkojnë nga shtatë deri në nëntë mijë denarë.
Këto të dhëna Portalb.mk i ka dorëzuar edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga ky institucion na njoftuan se do ta shqyrtojnë si rast në një nga kolegiumet që pritet të mbahet këtë javë.
Nga Instituti i Veterinarisë nuk treguan se sa analiza të leshmanjozës janë dërguar nga ‘Ana Agro’ në dy vitet e fundit.
Nga ana tjetër, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për Portalb.mk e konfirmuan se ‘Ana Agro’ ka kapacitet prej 10 qenve.
“Strehimorja është miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe është e regjistruar në Regjistrin e Strehimoreve të Miratuara. Strehimorja ka kapacitet prej 10 qensh”, thanë nga AUV.
Marrëveshja në rrethana të dyshimta
Përpara se Komuna e Tetovës ta nënshkruajë më 05.11.2025 marrëveshjen me ‘Ana Agro’, në këtë thirrje pati aplikuar një kompani tjetër, megjithatë procedura u anulua më 18.09.2025.

I pyetur se përse u anulua ky tender, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 25 shtator 2025 tha:
“Sepse ka aplikuar një kompani jashtë Tetovës e cila ka ofruar çmim që është joreal për të kryer shërbimet të cilat duhet të kryhen për trajtimin adekuat të qenve endacakë”.
Megjithatë, edhe shoqata ‘Ana Agro’ nuk është nga Tetova por nga Komuna e Jegunovcës, strehimorja ku trajtohen qentë ndodhet në fshatin Ratajë..
Për më tepër, burimet tona thonë se tenderi u anulua me qëllim që t’i jepet shoqatës “Ana Agro”.
Kjo shoqatë edhe vitin 2024 fitoi tenderin nga Komuna e Tetovës për trajtimin e qenve endacakë në vlerë prej 3.2 milionë denarë.
Ana Agro përfituese e tenderëve vetëm nga Komuna e Tetovës
Shoqëria për përkujdesjen e qenve endacakë “Ana Agro” në këto katër vite sa ekziston, sipas faqes së prokurimeve publike ka fituar gjithsej dy tenderë, të dyja nga Komuna e Tetovës.

Sipas bazës së të dhënave nga CompanyWall Business, ‘Ana Agro’ është themeluar më 26.8.2021 dhe ka dy të punësuar.
Kjo shoqatë në vitin 2022 nuk ka pasur aspak të hyra. Në vitin 2023 ka regjistruar të hyra prej 16.000 denarë, ndërsa në vitin 2024 ka të regjistruara të hyra prej 1.866.000 denarë.
Ndërkaq, sipas këtij regjistri figuron se llogaria bankare e Ana Agro momentalisht është e bllokuar.

Situata me qentë në Tetovë është alarmante
Përderisa Komuna e Tetovës shpenzon miliona denarë, situata në terren me qentë endacakë mbetet shqetësuese.
Në katër vitet e fundit, sipas të dhënave nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë regjistruar rreth 300 raste të kafshimit të qenve endacakë. Megjithatë ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjithë qytetarët i kanë paraqitur rastet në polici.

Kujtojmë se qentë endacakë në strehimoren “Ana Agro” në Ratajë filluan të trajtohen në fund të muajit korrik 2024. Pavarësisht trajtimit të tyre, në qytet ende ka turma qensh, për të cilat qytetarët vazhdimisht ankohen.
Në maj 2025, nga strehimorja ‘Ana Agro’ njoftuan se nga viti 2024 deri në maj 2025 në strehimore ishin trajtuar 224 qen. Nga strehimorja patën njoftuar se do të vazhdojnë të funksionojnë edhe në vitin 2025.
Përndryshe, vite më parë u paralajmërua ndërtimi i një strehimoreje rajonale për të zgjidhur këtë problem për të gjithë komunat e Pollogut, por kjo nuk është realizuar deri më tani
