Pavarësisht se zgjedhjet lokale përfunduan zyrtarisht më 11 nëntor dhe se pikërisht ato ishin arsyeja kryesore e pezullimit, një muaj më vonë konkursi për punësimin e personelit mjekësor në Spitalin e Tetovës ende nuk ka përfunduar, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi i pyetur se kur do të përfundojë ky proces, tha shumë shpejtë, duke mos dhënë afat konkret.
“Jam zotëruar për këtë konkurs se do e realizoj, disa herë e kam thënë këtë deklaratë dhe përsëri do e jap këtë deklaratë. Jemi në fazën përfundimtare, tani është për kontrollimin e testeve të cilët komisioni është duke e bërë punën e vete, besoj se shumë shpejtë do kryhet kjo. Pas asaj, besoj se nga java tjetër do i thirim në intervistë, kështu që i respektojmë procedurat ligjore dhe në fund do arrijmë te realizimi, shumë shpejtë do jetë e realizuar ajo për 155, pjesa e administratës janë 25 për momentin presim pëlqim nga ana e Ministrisë së Administratës, besoj se shumë shpejtë do e marrim edhe atë”, tha Elezi.
Në ndërkohë, edhe konkursi për punësimin e 28 specializantëve në Spitalin e Tetovës ishte pezulluar për shkak të zgjedhjeve lokale, ndërsa të njëjtit dje i morën vendimet. Autoritetet shëndetësore njoftuan se do ketë konkurs të ri për specializantë tjerë që të plotësohen vendet që mungojnë.
- Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës më më 24 korrik e hapi konkursin për pranimin e personelit mjekësor.
Megjithatë konkursi u anulua disa javë më vonë në gusht për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale.
Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune.
Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit.
Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por kjo nuk u bë brenda këtij afati.
Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.
