Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, në një intervistë për TV21 tha se në vend duhet të funksionojë një sistem në të cilin secili e kryen detyrën për të cilën është caktuar.
Me Agelerin u debatua për temat aktuale, për zgjedhjet sapo të përfunduara, për gjyqësorin, ndikimin politik dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur për gjyqësorin dhe proceset gjyqësore që zgjasin shumë, Ageler theksoi se ajo dëshiron vetëm që secili të bëjë punën e vet.
“Unë nuk them se duhet të hiqen nga puna njerëzit. Duhet të ekzistojë një sistem që siguron mbështetjen e nevojshme për gjyqësorin dhe që secili ta kryejë detyrën e vet. Kjo nuk po ndodh këtu. Njerëzit e dinë dhe e shohin sa shumë zgjasin proceset gjyqësore. Dua që njerëzit në këtë shtet ta bëjnë punën e tyre. Secili të veten. Qoftë policia, qoftë policia financiare që duhet të hetojë diçka – të gjithë duhet të punojnë”, tha Ageler./tv21.tv
