Në intervistën e tij të parë pas fitores në zgjedhje, Zohran Mamdani i tha ABC News se rezultati i jep atij “një mandat për të ndjekur një axhendë ambicioze përballueshmërie”, me synimin për ta kthyer “qytetin më të shtrenjtë në SHBA në një qytet të përballueshëm për të gjithë”.
I pyetur nëse mund ta realizojë këtë pa rritur taksat, Mamdani u shpreh se “do të duhet t’i rrisë ato për 1% të banorëve më të pasur të Nju Jorkut”.
Sipas planit të tij, do të prezantohet një taksë e sheshtë prej 2% për qytetarët që fitojnë mbi 1 milion dollarë në vit (rreth 770 mijë £). Përveç kësaj, ai synon të rrisë normën e taksës së korporatave në 11.5%, duke e barazuar me nivelin më të lartë të taksimit në Nju Xhersi. Mamdani vlerëson se këto masa do të sigurojnë rreth 9 miliardë dollarë të ardhura për qytetin.
Duke iu përgjigjur kritikave se rritja e taksave mund të largojë bizneset dhe krijuesit e vendeve të punës, ai theksoi se problemi kryesor është tashmë kostoja e lartë e jetesës.
“Punëtorët po largohen sepse nuk përballojnë kujdesin për fëmijët apo qiratë, dhe kjo e bën të vështirë për bizneset të mbajnë talentet,” u shpreh ai.
