Forumi rinor i partisë Alternativa ka akuzuar ministrin e arsimit Arbër Ademi se ka degraduar sistemin arsimor në vend. Kryetari i forumit rinor Afan Elezi tha se gjendja është e mjerueshme nëpër shkolla e universitetet. Ai shtoi se gabimet nëpër tekstet shkollore janë kulminacioni i gjithë arsimit të dështuar në vend, raporton TV21.
“Partia që e udhëheq këtë dikaster i premton nga dhjetëra herë gjërat e njëjta dhe ato asnjëherë nuk përfundojnë. I tillë është rast i shkollës fillore në Reçicë të Vogël në Tetovë, të cilën e kanë premtuar para shumë viteve, ndërsa edhe tash premtojnë se ajo do të bëhet deri më 2021. Njësoj si premtimi shumëvjeçar për objektin e universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, njësoj si premtimi shumëvjeçar për ndërrimin e emrave të dy shkollave në Çair, njësoj si premtimi për shkollën e Idrizovës dhe njësoj si premtimi për shkollën fillore të Bllacës”, deklaroi Afan Elezi, kryetar i FR Alternativa./TV21/