Në një intervistë në emisionin Top Story me Grida Dumen, Bujar Osmani, kandidat për kryetar në komunën e Çairit nga radhet e Aleancës Kombëtare për Integrim, ngriti alarmin për, siç e cilësoi ai, “një agresion të plotë ndaj Maqedonisë së Ohrit dhe trashëgimisë së Marrëveshjes së Ohrit”. “Që nga dita e parë, ata kanë filluar të luftojnë gjithçka që lidhet me trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit. Kam pritur se kjo Qeveri do ta luftojë Maqedonine e Veriut, por ajo prej ditës së parë nisi ta luftojë Maqedoninë e Ohrit. Synimi është të zhduket çdo lidhje e shqiptarëve me atë trashëgimi, që përfaqëson krenarinë dhe arritjet e përpjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare”, deklaroi Osmani, duke aluduar në deklaratat dhe veprimet e kryeministrit aktual Hristijan Mickoski. Ai theksoi se janë zhbërë tre shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. “Gjuha shqipe është eliminuar nga institucionet dhe po tentohet të hiqet plotësisht pas zgjedhjeve. Balancuesi etnik, që garantonte përfaqësim të drejtë, është hequr. Gjykata Kushtetuese është instrumentalizuar për të rrëzuar ligjet që burojnë nga marrëveshja”, tha Osmani. Shqiptarët janë përjashtuar nga institucionet dhe nuk respektohet më vullneti i tyre politik, tha më tej Osmani. “Kjo është luftë ndaj konceptit të barazisë dhe statusit shtetformues të popullit shqiptar”, u shpreh ai. Duke folur për bashkimin e forcave politike shqiptare, Osmani theksoi se koalicioni aktual përfshin rreth 90% të skenës politike shqiptare, përfshirë BDI-në, Aleancën e Arben Taravarit dhe Ziadin Selës, si dhe PDSH-në në fazat e para të këtij bashkëpunimi. “Shqiptarët janë bashkuar për të mbrojtur Maqedoninë e Ohrit dhe barazinë që u fitua me shumë sakrifica. Kjo nuk është një betejë etnike, por një betejë për drejtësi, për shtetformim dhe për mbijetesë politike e kombëtare”, përfundoi Osmani