Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët të krahut të Ziadin Selës, Arben Zeqiri, ka reaguar pas dorëheqjes së Omer Ajdinit nga partia, duke e cilësuar këtë si akt të përsëritur dhe të motivuar vetëm nga interesat personale.
“Në çdo koalicion dhe Qeveri, dy muajt e parë hesht dhe kur ngelet pa post fillon e shan, jep dorëheqje. Kjo është dorëheqja e tretë e tij”, deklaroi Zeqiri.
Ai kujtoi rastet e mëparshme kur Ajdini është tërhequr nga politika:
- “Kështu bëri kur hyjmë në Qeveri në vitin 2023, heshti derisa emroheshin funksionarët, nuk kundërshtoi, dhe kur ngeli pa post doli me të njëjtat akuza, vjellte vrerë ndaj Ziadin Selës.”
- “Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 nuk mbajti anë, formoi një OJQ dhe deklaroi në TV21 se ka dhënë dorëheqje prej politikës, sepse nuk e dinte cili krah i ASH do të jetë në Qeveri, ne me Frontin apo Taravari me VLEN-in.”
- “U afrua përsëri me krahun tjetër në dhjetor të 2024, kur VLEN ishte veç në Qeveri, pasi ende kishte shpresa të merr një post ose të fitojë kandidaturën në Likovë. Shpresonte ta merr me VLEN-in, por kur kjo nuk ndodhi, përsëri heshti, duke u afruar herë me Fetahun e herë me Taravarin. Kaluan muaj dhe sapo u zyrtarizuan kandidaturat, dha dorëheqje për herë të tretë.”
Zeqiri shtoi se sipas tij, e njëjta skemë do të përsëritet edhe në të ardhmen:
“Tani shpreson pas zgjedhjeve të merr ndonjë post me Fetahun. Nëse nuk merr asnjë post, ju garantoj që për herë të katërt do të jep dorëheqje nga ASH.”
Në fund, zëdhënësi i ASH-së u shpreh prerë:
“Dua që të gjithë ta kuptojnë të vërtetën e këtij aventurieri pa sukses në politikë. Liderët dhe udhëheqësit duhet ta dinë se me njerëz të këtillë nuk bëhet politikë, e aq më pak kauzë.”
Omer Ajdini, ish-sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Aleancën për Shqiptarët, ka shpallur dorëheqjen dhe largimin nga partia, duke e cilësuar këtë vendim si “akt të dhimbshëm, por të pashmangshëm”.
Në një reagim publik, Ajdini shprehu pakënaqësinë e tij për drejtimin që ka marrë ASH-ja, duke thënë se “shpresën për ndryshim e ktheu në zhgënjim, ndërsa ëndrrat i shtypi me të dyja këmbët”.
Ai kritikoi bashkëpunimin e partisë në Likovë, duke theksuar:
“Që vjen dita me ardh Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Likovë, bashkë me Ali Ahmetin, dhe pas 8 vitesh keq-qeverisje të Erkan Arifit dhe 20 vitesh keq-qeverisje të BDI-së, me u kërku anëtarëve të ASH-së ta votojnë Erkan Arifin, unë nuk e kam besuar.”
Ajdini kujtoi edhe përpjekjet e tij në ndërtimin e partisë:
“Kam pranuar të jem Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, edhe përkundër dëshirës sime dhe angazhimeve të shumta profesionale, vetëm e vetëm që ta ndërtojmë një parti që do të jetë shpresë për ndryshim. Por shpresën time e kthyen në zhgënjim, ëndrrat tona i shtypën me të dyja këmbët. Kjo nuk është partia që unë kam shpresuar ta shoh.”
Ai nënvizoi se nuk do të jetë pjesë e ndonjë subjekti tjetër politik:
“Prandaj unë më nuk jam as Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë dhe as anëtar i ASH-së, e me këtë as anëtar i ndonjë partie tjetër.”
Në mesazhin e tij, Ajdini kujtoi periudhën kur sipas tij, Aleanca për Shqiptarët përfaqësonte idealin e rinisë dhe të ndershmërisë:
“ASH-ja e vërtetë për mua mbetet ajo organizata që dikur na mblodhi tok me ballin lartë plot krenari, në luftën kundër të keqes dhe me zemrat plot shpresë për ditë më të mira.”
Duke e mbyllur reagimin e tij, Ajdini u shpreh:
“Unë atë që e kam pështy nuk e lëpij, për asnjë çmim dhe me asnjë justifikim. Politika para se gjithash kërkon fytyrë dhe moral, dhe unë këtë nuk jam në gjendje t’ja falë askujt.” Flaka