12.3 C
Tetovo
E premte, 19 Shtator, 2025
BallinaLajmeProgrami “Rama 4” për infrastrukturën 2025-2029: 700 km rrugë të reja, hekurudha...

Programi “Rama 4” për infrastrukturën 2025-2029: 700 km rrugë të reja, hekurudha moderne, porte e aeroporte

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një pjesë të programit qeverisës për mandatin e katërt, ku fokusi do të jetë modernizimi i infrastrukturës së vendit gjatë viteve 2025–2029.

Sipas planit, deri në vitin 2029 pritet të ndërtohen 700 kilometra rrugë të reja, ndërsa do të përfundojnë edhe segmentet kryesore të Korridorit Blu, Bypass-i i Elbasanit dhe Rruga e Bregut Dhërmi–Sarandë.

Projekte të tjera të rëndësishme përfshijnë Rrugën e Vjosës, Unazën e Çajupit, aksin Berat–Skrapar–Gramsh dhe Rrugën e Maleve në veri.

Në qendër të planit është edhe transporti hekurudhor, me vënien në funksion të linjës Tiranë–Durrës–Rinas dhe ndërtimin e segmenteve që lidhin Shqipërinë me korridoret rajonale. Investimet në hekurudha do të kapin mbi 800 milionë euro.

Po ashtu, programi parashikon ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano, zhvillimin e marinave turistike në Sarandë, Vlorë e Kepin e Rodonit, si dhe zgjerimin e kapaciteteve të Aeroportit të Tiranës. Në plan është edhe hapja e Aeroportit të Vlorës dhe atij të Jugut (Gjirokastër), si dhe themelimi i Akademisë së parë të Aviacionit në Shqipëri.

Qeveria synon gjithashtu ngritjen e një rrjeti kombëtar transporti publik të gjelbër, me 100 autobusë elektrikë dhe sisteme të dixhitalizuara të biletimit.

Rama e cilësoi këtë plan si “hap vendimtar drejt integrimit evropian”, duke e shndërruar Shqipërinë në një nyje të rëndësishme të transportit dhe tregtisë në Ballkanin Perëndimor.

Projektet kryesore të planit 2025–2029 për infrastrukturën

Rrugët

  • 700 km rrugë të reja deri në vitin 2029
  • Përfundimi i segmenteve të Korridorit Blu: Milot–Balldren, Milot–Thumanë, Kashar–Peze–Lekaj, Lekaj–Konjat–Fier
  • Bypass-i i Elbasanit
  • Rruga e Bregut: Dhërmi–Sarandë, Ksamil, Bypass-i i Sarandës
  • Unaza e Çajupit (Gjirokastër–Libohovë–Kardhiq)
  • Rruga e Vjosës (Ersekë–Përmet–Tepelenë)
  • Aksi Berat–Skrapar–Gramsh
  • Rruga e Liqeneve (Rrëshen–Burrel)
  • Rruga e Maleve (Vau i Dejës–Pukë–Fushë Arrëz)

Transporti hekurudhor

  • Linja Tiranë–Durrës–Rinas me tren modern
  • Segmentet Tiranë Qendër–PTT dhe Sukth–Porto Romano
  • Projekte rajonale: Vorë–Hani i Hotit, Durrës–Rrogozhinë, Rrogozhinë–Pogradec
  • Ndërtimi i linjës Vlorë–Via

Portet

  • Ndërtimi i Portit tregtar të Porto Romanos
  • Marina turistike në Sarandë, Vlorë dhe Kepin e Rodonit

Transporti ajror

  • Përfundimi i Aeroportit të Vlorës
  • Hapja e Aeroportit të Jugut (Gjirokastër)
  • Zgjerimi i Aeroportit të Tiranës
  • Themelimi i Akademisë së Aviacionit

/rtsh.al/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments