Sot mbushen gjashtë muaj nga tragjedia në Koçan, kur një zjarr i madh në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” vrau 62 persona dhe plagosi mbi 200 të tjerë. Rasti është një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kohëve të fundit në Maqedoni.
Me këtë rast, sonte në orën 20:16 në Sheshin “Maqedonia” në Shkup do të mbahet tubim paqësor për t’u bërë homazh viktimave. Protesta është thirrur nga iniciativa “Kush është i radhës”.
Përveç Shkupit, tubim do të mbahet edhe në Koçan, ku prindërit dhe të afërmit e të ndjerëve do të marrin pjesë në “Marshimin tradicional të Engjëjve” që e kanë praktikuar pothuajse çdo fundjavë që nga tragjedia. Marshimi do të fillojë në orën 15:35 nga “Parku i Revolucionit” ku edhe do të përfundojë.
Aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” në Koçani u ngrit pothuajse tre muaj pas tragjedisë, më 13 qershor. Janë akuzuar gjithsej 34 individë dhe tre persona juridikë.