Gjashtë ligje reformuese të fushës së drejtësisë kanë ngecur në Qeveri pasi ekzekutivi refuzon t’ua rritë pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve, në rrethana kur niveli i besimit të qytetarëve ndaj punës së tyre është mjaftë i ulët.
Kryeministri Hristijan Mickoski thekson që në fushën e reformave vendi është lider rajonal, megjithatë sa i përket këtyre ligjeve po bëjnë analiza krahasuese me vendet e BE-së dhe për këtë do ta informojnë më pas Brukselin.
“Aq më pak unë, dua që si kryetar i Qeverisë të kërkoj nga deputetët e Kuvendit që të votojnë ligj me të cilin do të rriten dyfish ose trefish të ardhurat e atyre që kanë 2% rejting. Atë nuk mundem”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Qeveria, gjithashtu është duke analizuar edhe ndryshimet e Ligjit për Procedurë Penale, ndërsa deri në fund të vitit duhet të gjejë një zgjidhje edhe për ndryshimet e Kodit Penal, të cilën plotësisht po e kërkon Gjykata Kushtetuese.
“Punojmë në këtë dhe deri në fund të vitit do të miratohet. Do ta informojmë Gjykatën Kushtetuese se punojmë dhe do ta miratojmë, por siç duhet. Të dihet saktë, çfarë është keqpërdorim i madh, çfarë është keqpërdorim i vogël. Dhe nuk do të lejojmë që ajo të jetë vegël politike për qërim hesapesh me kundërshtarë politik”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Drejtësisë, resori përgjegjës për reformat në gjyqësor theksojnë që ky proces nuk mbaron brenda natës, pasi që duhet që kërkon vullnet politik, stabilitet institucional dhe mbështetje profesionale serioze.
Gjatë ditës së djeshme, lidhur me ngecjen e reformave në fushën e luftës kundër korrupsionit, zëvendëskryeministri Arben Fetai drejtoi gishtin nga Ministria e Drejtësisë.
Nga resori me të cilin udhëheqë ministri Igor Filkov, sqarojnë se në Qeveri kanë dorëzuar Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, Ligjin për Procedurë Civile, por edhe Ligjin për Mbrojtjen e Denoncuesve. / Alsat.mk