Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, po përballet mungesë të madhe të studentëve. Profesorët shprehin shqetësimin e tyre për këtë trend negativ. Profesori Ismet Osmani, ligjërues dhe përgjegjës i katedrës, thekson se në afatin e parë janë regjistruar vetëm 15 studentë, diku 10 më pak krahasuar me vitet paraprake.
“Në afatin e parë janë regjistruar diku rreth 15 studentë, në bazë të informacioneve që i kam, në grupin arsimor – Gjuhë shqipe dhe letërsi, sepse ne kemi dy programe studimore gjuhë dhe letërsi dhe programin studimor Përkthim. Te përkthimi interesimi është më i vogël por presim që ne afatin e dytë që është nesër 10 dhe 11 shtator, presim që të ketë më shumë student, më shumë të interesuar për t’u regjistruar në këtë grup. Kuptohet që edhe në grupin arsimor si gjuhë dhe letërsi të mbushet numri”, tha Osmani.
Por përse ka rënë interesimi?
“Është një rregull i pashkruar. Shumë student shkojnë në shkencat e teknikës, shkencat e informatikës, ekonomik, juridik, kuptohet një numër i madh i të rinjve migrojnë, ikin jashtë dhe që është një nga arsyet kryesore rënia e natalitetit, këto janë elementet të cilat bëjnë që të kemi edhe ulje të numrit të studentëve”, tha më tej Osmani.
Profesorët e këtij drejtimi druajnë se kjo do të ndikojë në mungesën e studiuesve të ardhshëm, që duhet ta ruajnë dhe ta kultivojnë gjuhën shqipe, studiues të cilët duhet të përgatisin gramatika të gjuhës, fjalorë si dhe tekste të mirëfillta për shkollat fillore dhe të mesme. Përndryshe nesër dhe pasnesër vijon afati i dytë për regjistrim në drejtimin Gjuhë dhe letërsi shqipe, pranë Fakultetit “Bllazhe Koneski”, të Universiteti Shën Qirili dhe Metodi./tv21