Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ende nuk ka filluar të inspektojë institucionet nëse të njëjtat e respektojnë ligjin. Sipas kornizave ligjore, inspektorët e këtij organi pas 14 janarit të këtij viti, duhet të dalin në terren dhe në rast se ndonjë institucion nuk ka respektuar dygjuhësinë, t’i shqiptojnë sanksion. Por ky organ ende nuk mund të kryejë funksionin për të cilin është formuar, sepse nuk ka inspektorë dhe as objekt, madje drejtori i këtij institucioni, Fatmir Iseni, u emërua në fund të dhjetorit. Sipas tij, po bëhet përpjekje maksimale që të bëhet ekipimi, por nuk përmend hark kohor se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Po besojmë se jemi duke punuar me hapa të shpejtë të arrijmë atë për arsye se duhet të kompletojmë ekipin dhe prej momentit kur do të formohet ekipi do të dalim të terren. Datë fikse për momentin nuk mund të them për arsye se duhet të zgjidhet ekipi të kompletohet ekipi- tha Fatmir Iseni- drejtor i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve.
Një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, nga Agjencia për zbatimin e këtij ligjit thonë se përqindja e institucioneve që nuk zbatojnë dygjuhësinë është e lartë. Madje thonë se Ligji i Gjuhëve zbatohet pak apo aspak jo vetëm tek institucionet që drejtohen nga maqedonas, por edhe nga ato që drejtohen nga kuadro shqiptarë.
Nga përgjigjet e marra nga pyetësorë, vlerësojmë se në 99% të përgjigjeve dy gjuhësia nuk respektohet ashtu siç parashikohet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ligji duhet të respektohet gjithsesi, pavarësisht se për cilin institucion bëhet fjalë. Ka ende institucione qe ende nuk kanë filluar me zbatimin e ligjit- pohoi Marjan Patlixhankoski- Agjencia e Gjuhëve (14.01.2020)
Duke mos pasur kush t’i sanksionojë, institucionet nuk ndjejnë presion të respektojnë dygjuhësinë gjatë punës së tyre. Gjatë 2019-tës Alsat bëri hulumtimin e faqeve zyrtare të ministrive në vend, për të parë nëse të njëjtat përditësohen edhe në gjuhën shqipe. Muaj më vonë gjendja vazhdon të jetë pothuajse e njëjtë. Disa ministri si Ministria e Mbrojtjes, e Punëve të Brendshme, e Financave dhe e Shëndetësisë pjesërisht e respektojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ndërkohë që ka edhe të tilla siç është Ministria e Punëve të Jashtme, apo ajo për Punë dhe Politikë Sociale, që faqet zyrtare i kanë vetëm në gjuhë angleze dhe maqedonase.