Me 5 vota për dhe 1 kundër Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi Udhëzimin për plotësimin e formularit të listave për kandidatët për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit. Kundër këtij udhëzimi ishte Ditmire Shehu, anëtare nga radhët e BDI-së, e cila konsideron se nuk mund të miratohet mbi bazën e një vendimi të Qeverisë ku merren parasysh vetëm banorët rezidentë, e jo të diasporës, për çka zvogëlohet numri i këshilltarëve në 14 komuna. Shehu njoftoi se do ta kontestojë këtë udhëzim para Gjykatës Administrative.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se ata nuk kanë kompetenca të hyjnë në përmbajtjen e vendimit të Qeverisë dhe nuk kanë mundësi tjetër ligjore përveç të veprojnë sipas tij.
BORIS KONDARKO – KRYETAR I KSHZ-SË
-Nuk mund të hyjmë ne në Ligjin për regjistrimin e popullsisë në definicionin e termave banor, rezident dhe kështu me radhë, kështu që për të gjithë këtë nuk kemi asnjë të drejtë ta interpretojmë si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve. Për ne është e rëndësishme që vendimi, qoftë si është – ashtu është, ai është legjitim dhe në fuqi dhe ne nuk kemi akt tjetër dhe kompetencë tjetër ligjore mbi bazën e së cilës do të vepronim në përcaktimin e numrit të këshilltarëve në komunat.
Ndryshe, një vendim i tillë i Qeverisë erdhi nga regjistrimi i popullsisë që tregoi ulje të numrit të banorëve, për çka sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale u mor vendim për zvogëlim të numrit të këshilltarëve në disa komuna ku u pa se ishte e nevojshme.