Politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti ka shprehur përkrahje për protestën e OVL-UÇK e cila u mbajt dje ndaj procesit gjyqësor nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mexhiti përmes Facebook tha se lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshevë dhe në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të drejta dhe të arsyeshme, transmeton KosovaPress.
“E mbështes plotësisht dhe pa rezerva protestën e sotme për Drejtësi për Çlirimtarët që u mbajt në Prishtinë. Si kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e 19 tetorit, nuk kam dashur ta keqpërdori kauzën madhore të protestës për interesa të ngushta të fushatës, sepse kauzat e tilla janë shumë më të mëdha sesa një garë zgjedhore, dhe bartin në vete vulën e historisë e të dinjitetit kombëtar që ngritet përtej fushatave dhe proceseve zgjedhore.Qëndrimi im ka qenë dhe ngelet parimor dhe i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshëve si dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër! Kjo ka qenë luftë për shtetshmërinë, për barazinë dhe për mbrojtjen e identitetit shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë. Bota i ka njohur dhe i ka ndëshkuar agresorët dhe dhunuesit për krimet ndaj shqiptarëve. Çdo tendencë sot për ta barazuar dhunuesin me viktimën është e papranueshme, qoftë me normat e së drejtës ndërkombëtare apo me parimet e të drejtës zakonore”, ka shkruar Mexhiti.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.
Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.
Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë. /KP