30.4 C
Tetovo
E martë, 22 Korrik, 2025
BallinaLajmeAshpërsohet retorika mes Kurtit dhe Vuçiqit

Ashpërsohet retorika mes Kurtit dhe Vuçiqit

Autoritetet e Prishtinës i konsiderojnë kërcënuese deklaratat e Vuçiqit për “pasoja të rënda për Kosovën” pas arrestimit të një zyrtari serb në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza në distancë, duke akuzuar njëri-tjetrin me “synime për destabilizim të rajonit”. Shkak i këtyre deklaratave të ndërsjella akuzuese u bë shqiptimi i një muaji paraburgim ndaj zëvendësit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Igor Popoviç nga autoritetet kosovare. Popoviç gjatë një tubimi në një lokalitet të Kosovës e quajti ish-UÇK-në organizatë terroriste, për autoritetet e Kosovës kjo ishte  gjuhë nxitëse.

Kurti: Deklaratat e Vuçiqit rrezik për sigurinë e rajonit

Pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e paralajmëroi Kosovën për pasoja të rënda ka reaguar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Gjatë një konference për media të hënën (21.07), Kurti u shpreh, se deklaratat e bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pasi Kosova i shqiptoi një muaj paraburgim një zyrtari qeveritar serb, janë kërcënuese dhe nuk duhen neglizhuar, pasi sipas tij “rrezikojnë sigurinë e rajonit”.

Deklaratat e presidentit Vuçiq të bëra më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike, me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por politikë shtetërore,” tha Kurti. Sipas tij, “në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon”.

“Deklarata të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ato nuk duhen neglizhuar, sepse vijnë nga një udhëheqës që kontrollon aparatin ushtarak dhe strukturat e sigurisë së një shteti që historikisht ka shkelur të drejtat e popujve fqinj, përfshirë kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidin”, deklaroi Kurti.

Vuçiq: Kosova do të ketë “pasoja të paparashikueshme”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas arrestimit nga policia e Kosovës të Igor Popoviç, tha se Albin Kurti “dëshiron të shkaktojë incidente në Ballkan”, duke paralajmëruar Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Gjykata Themelore në Prishtinë pas arrestimit i caktoi një muaj paraburgim Igor Popoviçit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviç tregon se Kurti e ka humbur plotësisht mendjen dhe se dëshiron të provokojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor.  Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme, por ne gjithmonë do të luftojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, deklaroi Vuçiq, duke shtuar se Serbia do të reagojë “në një mënyrë shumë të ashpër, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës,  Albin Kurti, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të reagojë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit”. Kurti u bëri thirrje po ashtu qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi sipas Kurtit, “ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës”.Ndalimi i Igor Popoviç

Igor Popoviç, zëvendësshef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve, gjatë një fjalimi në Hoçë të Madhe, një lokalitet i banuar me serbë në qendër të Kosovës, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Pas këtij fjalimi në Rahovec, Popoviç u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak kur po kthehej në Serbi dhe u dërgua në mbajtje policore.

Sipas autoriteteve kosovare të drejtësisë, ai akuzohet “për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik”. Sipas z. Kurti, Popoviç “nuk është përjashtim dhe ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Në anën tjetër, Prokuroria në Beograd njoftoi po ashtu të hënën se i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) për mbledhjen e informacionit të nevojshëm, “me qëllim të identifikimit të personave” që e kanë arrestuar Popoviçin. Sipas prokurorisë serbe, “ekzistojnë elemente të veprës penale të rrëmbimit”. Autoritetet e Serbisë, për këtë rast, kanë njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Popoviç pas arrestimit dhe shqiptimit të masës së arrestit për 30 ditë, të cilën e kanë cilësuar po ashtu si “vendim politik” të Prishtinës zyrtare. DW

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments