16 C
Tetovo
E diel, 20 Korrik, 2025
BallinaLajmeKosova, vatra e një kopje të rrallë të Sahihut të Buhariut

Kosova, vatra e një kopje të rrallë të Sahihut të Buhariut

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, tha se me këtë vepër Kosova ka hyrë në enciklopedinë botërore të hadithit, me një ekzemplar të rrallë që është kopjuar me dorë dhe është ruajtur për shekuj me radhë


Prishtinë

Një nga versionet më të besueshme të Sahihut të Buhariut – Versioni i Juninit, librit me hadithe të përmbledhura profetike të profetit të fundit në Islam, Muhamedit, gjen strehë në shtetin më të ri evropian, në Kosovë.

I kopjuar nga një person me emrin, Ali Ibn Abdullahu, libri u ble nga Sylejman Pasha, një pasanik i kohës me prejardhje nga qyteti i Gjakovës dhe më pas u la si vakëf në xhaminë emblemë të këtij qyteti, Xhaminë e Hadumit, me qëllim që nga ai të mësojnë gjeneratat e ardhshme.

Për dekada me radhë, kjo kopje i mbijetoi luftërave ballkanike, Luftës së Dytë Botërore dhe djegieve masive të luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-99.

Në vitet e 50-ta, ish-kryetari i atëhershëm i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Bajram Agani, e mori këtë libër dhe shumë libra tjerë të vjetër nëpër xhamitë e vendit dhe i sistemoi në Bibliotekën Qendrore të Kryesisë së BIK-ut.

Kopja e Juninit në vitet e fundit u digjitalizua, ndërsa në vitin 2022, BIK-u me një shtëpi botuese të Libanit filluan bashkëpunimin, me qëllim që ajo të kthehet në sa më shumë ekzemplarë, për t’i shërbyer lexuesve të mbarë botës islame.

Dorëshkrimi, pasi u kopjua në mijëra ekzemplarë, u kthye solemnisht në shtëpinë e vjetër, në Xhaminë e Hadumit, me një ceremoni që u shënua në fillim të muajit korrik, por, pas kësaj, ai tani ruhet me kujdes në Bibliotekën e Fakultetit të Studimeve Islame, në Prishtinë.

“Me këtë vepër Kosova ka hyrë në enciklopedinë botërore të hadithit”

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, thotë se me këtë vepër Kosova ka hyrë në enciklopedinë botërore të hadithit, me një ekzemplar të rrallë që është kopjuar me dorë dhe është ruajtur për shekuj me radhë në Xhaminë e Hadumit.“Historiku i kësaj vepre është shumë interesant, porositur nga shqiptarët, që të shkruhet enkas për nxënësit e Xhamisë së Hadumit në Gjakovë, shkruar më 1179 hixhri, që i bie 1765 të erës sonë. Kur është përfunduar ky libër është lënë si vakëf në vitin 1785 të erës së re dhe prej asaj date është ruajtur në ambientet e kësaj xhamie dhe është përdorur nga hoxhallarët dhe profesorët e Medresesë së Madhe të Gjakovës, për t’ua sqaruar hadhithet e Pejgamberit – nxënësve”, thotë ai.

Bajgora thotë se edhe ai që shkroi këtë kopje, por edhe ai që e bleu dhe më pas e la vakëf, janë shqiptarë dhe ky fakt e ngritë popullin shqiptar në mesin e popujve të qytetëruar në kohërat e mëhershme.

“Shqiptarët, përpos që kanë qenë strategë të mëdhenj ushtarak në kohën e Perandorisë Osmane kanë qenë po ashtu dijetarë me nam. Njerëz që e kanë dashur dijen, shkollimin dhe civilizimin. Kjo i ka ngritur deri në shekullin e kaluar, shekullin 20-të, ku tre shqiptarë i kanë lënë gjurmë të pashlyeshme shkencës së hadithit. Ndër ta, Shejh Albani me prejardhje nga Shkodra, Shuajb Arrnauti po ashtu nga Shkodra dhe Abdulkadër Arrnauti nga Kosova”, tha Bajgora.

Bajgora theksoi se edhe vepra tjera të tilla, të cilat janë mbi 1 mijë, do të përpiqen t’i vënë në pah, ashtu siç është qëllimi i Institutit që ai udhëheqë, i themeluar nga viti 2020.

Hoxhallarë dhe qytetarë të shumtë i janë përgjigjur thirrjeve të BIK-ut për të dhuruar librat e vjetër me vlerë islame që i ruajnë në shtëpitë e tyre dhe Instituti do t’i përpunojë dhe botojë në muajt e vitet e ardhshme.

“Me të ne marrim pjesë në të gjitha panairet e librit dhe është një libër jashtëzakonisht i kërkuar”

Një pjesë të madhe të punës për të nxjerrë në pah në botën islame Kopjen e Juninit, e ka edhe Abdulkadër Mahmud Arrnauti, nipi i dijetarit të madh të hadithit, shqiptarit me prejardhje nga Kosova, Abdulkadër Arrnauti.

Abdulkadër Mahmud Arrnauti i cili është kthyer nga Siria në Kosovë për të jetuar me familje, nga viti 2008, punon aktualisht në bibliotekën e Fakultetit të Studimeve Islame dhe është ura lidhëse e bibliotekës dhe librave të vjetër me botën arabe.

“Kjo kopje e rrallë e Sahihut të Buhariut, është një kopje me të cilën ne krenohemi, është një kopje jashtëzakonisht e vjetër, e cila me mbikëqyrjen e myftiut Tërnava dhe drejtorit Bajgora është përgatitur për botim dhe është botuar në Liban nga shtëpia botuese Darul Lu’lu’e dhe kopja e botimit është shpërndarë në të gjitha bibliotekat e botës arabe islame. Me të ne marrim pjesë në të gjitha panairet e librit dhe është një libër jashtëzakonisht i kërkuar dhe vlerësuar nga bota islamdashëse, sepse është një libër i rrallë në shkencën e hadithit”, thotë ai.

Junini, një dijetar i mëvonshëm që jetoi shumë vite pas kolosit Imam Buhariu, shkroi sqarime të shumta në margjinat e faqeve të librit, për të lehtësuar të kuptuarit e haditheve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments