Në ambientet e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është zhvilluar takimi ndërmjet përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH dhe atyre të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim hartimin e planit të bashkëpunimit dypalësh për periudhën 2025–2028.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjenerallejtënant Arben Kingji, vlerësoi lartë përparimin e FSK-së në procesin e transformimit dhe modernizimit, duke theksuar performancën profesionale të saj në stërvitjet dy dhe shumëpalëshe, si dhe rolin strategjik të FSK-së në garantimin e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
“Sigurova delegacionin e FSK-së, të kryesuar nga kolonel Haki Hoti, për vullnetin e palëkundur të FA për të përmbushur të gjitha nevojat e FSK në fushat e arsimimit, stërvitjes, shkëmbimit të përvojës dhe bashkëpunimit ushtarak”, deklaroi gjenerallejtënant Kingji.
Ky takim shënon një tjetër hap konkret në forcimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke synuar ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta dhe ndërveprueshmërinë në nivel rajonal e ndërkombëtar.