23.1 C
Tetovo
E premte, 11 Korrik, 2025
BallinaLajmeMPJ e Maqedonisë së Veriut e thirri ambasadorin bullgar: Sofja zyrtare të...

MPJ e Maqedonisë së Veriut e thirri ambasadorin bullgar: Sofja zyrtare të kërkojë falje

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka thirrë ambasadorin bullgar në Maqedoninë e Veriut, Zhelasko Radukov, për t’i dhënë protestë zyrtare si përgjigje të deklaratave të ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev.

Ministri i Jashtëm bullgar Georgiev në një paraqitjeje televizive në televizionin bullgar BTV theksoi se duke hequr “gjuhën dhe identitetin maqedonas” nga raporti mbi Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian (PE), ata arritën të parandalonin përdorimin e PE për propagandën politike të brendshme të, siç e quajti ai, kryeministrit “maqedonas verior”.

“Protesta zyrtare iu përcoll ambasadorit të Republikës së Bullgarisë në vend dhe u vu në dukje papërshtatshmëria e një diskursi të tillë publik nga një zyrtar i lartë i qeverisë bullgare”, thuhet në reagimin e MPJ-së ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev.

Ministria e Punëve të Jashtme dënoi deklaratat fyese të bëra ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut nga Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë gjatë paraqitjes së sotme si i ftuar në programin e mëngjesit të televizionit bullgar BTV.

“Deklarata të tilla, të cilat përdorin gjuhë të papërshtatshme dhe nënçmojnë përfaqësuesit e një shteti sovran, përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe komunikimit diplomatik. Ato nuk kontribuojnë në përparimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe janë në kundërshtim me frymën e dialogut konstruktiv dhe respektit të ndërsjellë që duhet të udhëheqë bashkëpunimin midis dy vendeve”, thuhet tutje në reagimin e ministrisë.Diplomacia e Maqedonisë së Verit pret që Sofja zyrtare të lëshojë një kërkimfalje të përshtatshme në mënyrë që të ruhet komunikimi dypalësh dinjitoz dhe parimor.

Ndryshe, heqja e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga Raporti për progresin e RMV-së ka ashpërsuar edhe më tepër gjuhën politike mes Sofjes dhe Shkupit.

Parlamenti Europian ka miratuar raportin e parë të progresit mbi Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024. Në debatin e zhvilluar në PE, eurodeputetët bullgarë akuzuan se politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. Përndryshe, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments