Gati dy paralele më pak me nxënës të klasës së parë do të ketë nga shtatori në shkollat fillore të Strugës. Nëse vitin e kaluar janë regjistruar 508 nxënës, këtë vit shkollor, sipas të dhënave të deritanishme, do të ketë 467 nxënës të klasës së parë, që është për 41 më pak se vitin e kaluar. Prej tyre, 286 janë në gjuhën shqipe, 172 në gjuhën maqedonase dhe vetëm 9 në gjuhën turke. Dy shkolla në fshatrat më të largët, Poum dhe Jabllanicë, do të mbesin pa asnjë nxënës të klasës së parë. Por situata nuk është më e mirë as në vendbanimet më të mëdha rurale. Për shembull, në njërin prej fshatrave më të mëdha, në Veleshtë janë regjistruar vetëm 20 nxënës në klasë të parë, në Delogozhdë 19, ndërsa në Ladorishtë, së bashku me shkollat rurale në Teferiq, Frëngovë dhe Zagraçan, numri është gjithsej 43. Nga Komuna e Strugës shpresojnë se situata do të përmirësohet deri në shtator.
“Në kontakt me drejtorët e të gjitha Shkollave Fillore, pritet që në fazën e dytë të regjistrimit të ketë numër shtesë të nxënësve të regjistruar në klasë të parë”, njoftojnë nga Sektori për Arsim, Komuna e Strugës.
Në Shkollën e fshatit Kalishtë do të ketë vetëm 8 nxënës të klasës së parë, ndërsa numër më të madh do të ketë në shkollën “Vëllezërit Miladinov” në Strugë 80 në gjuhën shqipe, 44 në gjuhën maqedonase dhe 9 në gjuhën turke. Në Labunishtë, nga shtatori do të mësojnë 22 nxënës të klasës së parë në gjuhën maqedonase dhe 65 në gjuhën shqipe. Mësuesi në pension, Zini Jusufi, kujton ditët e bukura kur shkollat e Strugës ishin të mbushura me nxënës. Ai thotë se në dekadën e fundit numri i nxënësve të klasës së parë në rajonin e Strugës është zvogëluar për 60%. Sipas tij, ka shkolla që përballen me rrezik mbylljeje.
E njëjta situatë është edhe në Ohër, ku janë regjistruar 422 nxënës të klasës së parë, që krahasuar me vitin shkollor të kaluar është për 13 më pak, kur ishin regjistruar 435. Ndërsa në vitin shkollor 2023/2024 numri i nxënësve të klasës së parë ishte 445, krahasuar me vitin 2021/2022, numri është më i ulët për 82 nxënës. /Alsat.mk