Vizita partiake apo qeveritare janë ato që zyrtarët e BDI-së po i bëjnë nëpër komuna?
Ministri Kreshnik Bekteshi dje tha se është aktivitet i BDI-së në kuadër të qeverisë, ani pse njoftimet në e-mail i dërgon BDI-ja e jo qeveria.
“Është aktivitet në kuadër të projektit të BDI-së “Zëri yt”. Nuk mund t’i ndajmë aktivitetet në partiake apo qeveritare. Sa i përket aktiviteteve qeveritare është pres-konferenca e qeverisë dhe njoftimet bëhen nga ana e institucioneve përkatëse, ju sot keni marrë njoftim nga Bashkimi Demokratik për Integrim për aktivitetin e tij”deklaroi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
E nëse Bekteshi e kishte të vështirë për ta definuar se kush kujdeset për këto aktivitete, kolegu i tij, zëvendëskryeministri Bujar Osmani që po ashtu vjen nga radhët e BDI-së, sot tha se aktivitetet bëhen në kuadër të qeverisë.
“Është aktivitet qeveritar i Ministrave të BDI-së, të cilët kanë vendosur që të japin llogari për punën e bërë në këto 2 vite e 7 muaj. Është organizim i ekzekutivit i koordinuar nga zëvendëskryeministri Duraku”, tha Bujar Osmani.
Me këtë justifikohet edhe përdorimi i makinave zyrtare dhe kalimi i kohës së punës për aktivitete në terren. E edhe pse e quajnë aktivitet të qeverisë, Osmani tregoi se vendimi ka ardhur nga vetë zyrtarët e BDI-së të cilët nuk e kanë problem nëse u bashkëngjitet edhe ndonjë koleg nga partitë e tjera që janë pjesë e ekzekutivit.
“Ministrat e BDI-së kanë vendosur që të bëhen bashkë dhe të dalin të japin llogari. Kush të dojë mund të na bashkangjitet në aktivitet tona”, shtoi Osmani.
E këtyre aktiviteteve të ministrave të BDI-së dikush u dedikoi një status në Facebook.
“Vazhdojnë të gënjejnë dhe të lëvdohen me projektet që i ka realizuar dikush tjetër”.
Deputeti i LSDM-së Muahmed Zekiri e pranon se këtë ia ka kushtuar partnerëve të tij të koalicionit. U bën thirrje që ta ndajnë partinë nga organet shtetërore.
“Ata e kuptojnë partinë si shtet. Partia është një gjë, qeveria është diçka tjetër, dhe nuk mund për aktivitete partiake të keqpërdorësh resurse shtetërore. ato janë resurse që i takojnë qytetarëve dhe nuk mund t’i keqpërdorësh ato resurse për qëllime personale dhe partiake. këtu duhet të bëhet dallimi dhe ata e dinë shumë mirë “, deklaroi deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri.
E pyetur për punën e vijës ndarëse mes aktivitetit partiak dhe atij qeveritar, kryetarja e Komisionit Antikorrupsion me shkrim na u përgjigj se nuk mundet që të keqpërdoret funksioni zyrtar për qëllime partiake, në kuptim të përdorimit të kohës së punës dhe resurseve shtetërore për të cilat përgjegjës janë personat e zgjedhur dhe emëruar.
Jo më larg se 5 muaj më parë po kjo përbërje qeveritare miratoi Kodin për zyrtarët e qeverisë, në nenin 5 të të cilit thuhet se bartësit e funksioneve publike gjatë kryerjes së punës duhet t’u ikin çfarëdolloj dyshimi për konflikt interesi mes interesit publik dhe atij personal.