Teksa konflikti Iran-Izrael vazhdon, ende pa mundësi të qarta parashikimi, vende të ndryshme kanë nisur evakuimin e shtetasve të tyre. Mediat e huaja flasin për një grup prej 89 bullgarësh të evakuar nga Izraeli me avion drejt Sofjes, së bashku me 59 shtetas nga Sllovenia, SHBA-ja, Belgjika, Shqipëria, Kosova dhe Rumania.
Associated Press pohon se ata u nisën nga qyteti egjiptian i Sharm el-Sheikh, ku ishin transferuar me autobus përtej kufirit nga Izraeli. Më shumë se një javë sulmesh dhe kundërpërgjigjesh hakmarrëse mes dy shteteve rivale kanë paralizuar lëvizjen në Lindjen e Mesme, me mbylljen e hapësirës ajrore në rajon dhe ndërprerjen e fluturimeve, përfshirë ato tregtare.Për këtë arsye, disa qeveri po përdorin kufijtë tokësorë për të nxjerrë shtetasit e tyre nga rruga drejt vendeve ku aeroportet mbeten të hapura. Bullgaria shkoi deri aty sa të zhvendosë të gjithë diplomatët e saj nga Teherani në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
“Ne nuk po e mbyllim ambasadën, por po e zhvendosim atë në Baku derisa të kalojë rreziku”, citohet të ketë thënë kryeministri Rosen Zhelyazkov.
Ndërkohë, thuhet se Bashkimi Evropian ka ndihmuar në evakuimin e rreth 400 personave nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Egjiptit, si pjesë e përpjekjeve të tij për të koordinuar një reagim emergjent brenda bllokut prej 27 vendesh.
Përveç të huajve, eksodi masiv ka prekur edhe vendasit. Radhë të gjata makinash janë krijuar në rrugët e Teheranit, me njerëzit që të përfshirë nga paniku, përpiqen t`i shpëtojnë bombardimeve.“Ishte tmerruese; zhurma të forta gjatë gjithë natës, nuk flija dot. Realisht, nuk kam vënë dot gjumë në sy. Pese netë rresht sepse dëgjoja zhurmën e bombave në lindje të Teheranit. Duhet të largoheshim prej andej”, tha Homa, një turiste.
“Irani po zbrazet. Familja ime është në Turqi, por afërmit i kam në Iran. Nuk mund të rri më këtu”, tha Mirzanezhad Valehzagherd, njw agjent turizmi.