Kryeministri Hristijan Mickoski, sot ka marrë pjesë në përurimin e rrugës fshati Pallaticë – Tetovë, ndërsa u pyet edhe për rastet si ai i Spitalit Modular, Llaskarca dhe Besa Trans.
Mickoski e ftoi Prokurorinë që të rishqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjithë që mund të jenë fajtorë.
“Hetimin nuk e bënë qeveria, por Prokuroria, vendimin e marrin gjykatësit. Ne kemi thënë se prokurorët dhe gjykatësit nuk kanë legjitimitet, pasi e dijmë se ata janë zgedhur në shtabet e LSDM-së dhe BDI-së, është e logjikshme që ata të marrin vendim të tillë për vëllanë e ish-ministrit. Ata gjykatës dhe ata prokurorë punojnë në këtë mënyrë. Që të ndryshojë mënyra e punës së tyre duhet reset i plotë i gjyqësorit dhe prokurorisë. Por këtë do ta bëjmë duke mos shkelur ligjet dhe Kushtetutën”.
“Derisa unë jam kryeministër do të ketë drejtësi për të gjithë. Të gjithë jemi të barabartë. Ftoj Prokurorinë të rishqyrtojë të gjitha rastet te të cilat ka pasur dyshime, si ai në Spitalin Modular, Llaskarcën, Besa Trans, si dhe tani në Koçan. Të hetojë të gjithë, përfshirë edhe mua”, tha mes tjerash Mickoski.
Ndërsa në lidhje me investimet dhe përurimin e rrugës fshati Pallaticë – Tetovë, Mickoski tha se Qeveria investon në mënyrë të barabartë.
“Nuk ka ndarje, ne zhvillohemi në mënyrë të barabartë kudo dhe do të investojmë në mënyrë të barabartë kudo, ndërsa unë, si kryeministër, garantoj zhvillim të barabartë të çdo metri katror të territorit të Maqedonisë”.
“Mund të dëshiroj vetëm më shumë projekte të tilla sepse këto janë nevojat reale të qytetarëve, këto janë nevojat e ekonomisë, sigurisht të kompanive që e ndërtojnë këtë, dhe detyra jonë si qeveri është të sigurojmë kushte të barabarta dhe të përshtatshme për zhvillim në të gjitha pjesët e të gjithë territorit të vendit, pavarësisht nëse atje jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, serbë, boshnjakë apo të tjerë”, tha Mickoski.