Inspektorati komunal i Qytetit të Shkupit kërkoi që pjesëtaret e policisë të ndalojnë punën e një kamioni privat për mbledhjen e mbeturinave në Komunën e Çairit, me të cilën paraprakisht kishin nënshkruar marrëveshje drejtuesit e Çairit. Sipas Visar Ganiut, kjo po bëhet me tendencë politike, me direktivë të BDI-së që tashmë drejton Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”. Sipas Ganiut, marrëveshja me kompaninë private u bë për shkak se Çairi rreth dy vjet po mbytet në mbeturina dhe qëllimisht nuk pastrohet nga ndërmarrja komunale e Qytetit.
“Qyteti i Shkupit e ka dërguar Inspektoratin, e ka blloku kamionin, ka thirr asistencë policore dhe do ta konfiskoj kamionin për arsye të tyre të cilat ne nuk i dimë. Ne këtu jemi grumbulluar për shkak se nuk duhet të luhet me fatin e popullit. Kjo më është tendencë politike, këtë e them me plot bindje për shkak se ndërmarrjen e udhëheq kuadër i BDI-së i cili fillimisht prej 530 kontejnerëve e kanë ul numrin në 320 që të jepet një pasqyrë sa më e keqe për Çairin. Edhe atë punë të cilën ata e kanë për detyrë ne e marrim përsipër dhe qytetari jonë paguan për së dyti takat për këtë shërbim, edhe këtë nuk na lejojnë”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.
Ganiu tha se ditë më parë këshilltarët e BDI-së komunën e Çairit penguan punësimin edhe të 20 punëtorëve sezonalë për të pastruar në territorin e kësaj komunës.
“Për ta konfirmuar këtë edhe për ta bë lidhshmërinë, javën e kaluar ne kishim në Këshillin Komunal një pikë ku kërkuam për 20 punëtorë të rritet numri i punëtorëve sezonal, që të punësojmë plus 20 punëtorë që të mund ti kryejmë të gjitha këto detyra, BDI-ja ishte kundër kësaj pike. I lus të gjitha institucionet na lini ta bëjmë punën që ju nuk e bëni”, shtoi Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.
Rrugët e Çairit tashmë një kohë të gjatë thuajse janë mbuluar nga mbeturinat të cilat përveçse se pengojnë qytetarët të lëvizin lirshëm kundërmojnë edhe erë të rëndë duke rrezikuar edhe përhapjen e infeksioneve të ndryshme./Alsat.mk