I është vënë flaka vilës së drejtorit të Drejtorisë për shqiptimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov. Ai ndau në rrjetet sociale video të shtëpizës së tij të djegur në fshatin Oreshan të Shkupit ndërsa shkroi se ka arsye të dyshojë se ky është sulm i drejtpërdrejtë kundër tij nga grupet kriminale.
“Ky është çmimi për goditjen ndaj mafies. Shtëpia ime u dogj dhe kam arsye të dyshoj se ishte sulm i qëllimshëm nga kriminelët. Ata nuk do të na ndalojnë dhe nuk do të na zmbrapsin. Askush nuk është mbi ligjin. Nuk ka kthim pas kur lufton për drejtësi. Pres që Institucionet ta gjejnë dhe ta ndëshkojnë autorin”, deklaroi Aleksandar Pandov, drejtor i Drejtorisë për shqiptimin e sanksioneve.
Rasti u denoncua menjëherë në Ministrinë e Brendshme kurse policia po merr masa për të gjetur autorët, por deri më tani nuk ka informacione të hollësishme se kush qëndron pas këtij incidenti.
“Më 29.04.2025 në orën 18:45, në SPB Shkjup, personi A.P. (54) nga Shkupi ka raportuar se është djegur vila në fshatin Oreshan të Shkupit. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë të burgjeve janë shënjestër e zjarrvënësve. Dy vjet më parë, pati disa raste kur automjete që u përkisnin komandantëve dhe zëvendëskomandantëve në burgun e Idrizovës janë djegur kurse midis automjeteve të djegura ishin ato të komandantit të atëhershëm Afrim Rexhepi si dhe të zëvendësdrejtorit të atëhershëm Femi Jonuzi. Përveç Shkupit, buletinet e policisë shpesh raportojnë raste të djegies së automjeteve të komandantëve dhe drejtorëve të burgjeve edhe në qytete të tjera në të gjithë vendin.