“Edhe bashkëpunim me BDI-në edhe në Qeveri nuk shkon”, kështu ka deklaruar sot zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, duke komentuar pozitën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari në Qeveri, pas përlasjeve brenda koalicionit VLEN. Mexhiti i bëri thirrje edhe njëherë Taravarit që të vendosë nëse do të bashkëpunojë me BDI-në apo do të mbetet në VLEN dhe në Qeveri.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër
“Është legjitime dhe ka të drejtë të bashkëpunojë me BDI-në, por në atë rast duhet që atë ta sqarojë, të mos turpërohet dhe të kalojë në atë tabor. Bashkëpunimi me BDI-në dhe bashkëpunime me VLEN-in nuk është i mundur. Bashkëpunimi me BDI-në dhe të vazhdojë të jetë në Qeveri mendojë se nuk shkon. Duhet të përcaktohet. Nuk duhet të harrojmë se ato 107 mijë vota i kemi marrë premtim para qytetarëve se do të sjellim ndryshimin, do të sjellim rotacionin, pluralizmin, demokracinë në kampin politik shqiptar, pra është devijim nga premtimi që e kemi dhënë”.
Mexhiti ka konfirmuar se do të ketë takim Taravari me kryeministrin, megjithatë tha se nuk janë diskutuar detajet teknike nëse në këtë takim do të marrë pjesë edhe koalicioni VLEN.