0.7 C
Tetovo
E enjte, 20 Mars, 2025
BallinaLajmeSerbia e cilësoi provokim aleancën ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci, reagon ministri kroat: Ka ikur...

Serbia e cilësoi provokim aleancën ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci, reagon ministri kroat: Ka ikur koha kur pyetej Beogradi, Kosovën e kemi mike

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë në një reagim të martën vonë e ka konsideruar “provokim” marrëveshjen për aleancën ushtarake të nënshkruar në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në reagim, Serbia ka thënë se do t’u dërgojë kërkesë urgjente ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, duke kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Sipas Beogradit, me këtë marrëveshje, këto dy shtete, “së bashku me përfaqësuesin e paligjshëm të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, kanë ndërmarrë hapa që dëmtojnë stabilitetin rajonal.

Serbia, siç pretendon reagimi, si një shtet që garanton paqen dhe neutralitetin ushtarak në Ballkan, “me të drejtë kërkon përgjigje mbi natyrën dhe objektivat e këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë”. Veçanërisht Serbia e sheh fakt shqetësuese pse kjo aleancë ushtarake është formuar pa asnjë konsultim me Beogradin, “me përfshirjen direkte të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që përbën një kërcënim për popullin serb dhe për të gjithë rajonin”.Nuk do të injorojmë mesazhin politik të qartë të kësaj iniciative. Është e dukshme se ky memorandum nuk është rezultat i një bashkëpunimi të rastësishëm, por një strategji e synuar për të izoluar Serbinë dhe për të forcuar struktura paramilitare në krahinën jugore të Serbisë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Serbia e sheh si tepër domethënëse që dy nga fqinjët e saj, Kroacia dhe Shqipëria, kanë vendosur të nisin këtë marrëveshje dhe që një ftesë për t’iu bashkuar këtij bashkëpunimi i është dërguar edhe Bullgarisë. Nëse siç thuhet se kjo marrëveshje nuk është e drejtuar kundër askujt, atëherë Serbia kërkon shpjegim se përse është përjashtuar nga çdo negociatë për sigurinë kolektive në rajon.

Serbia pretendon se armatosja e njëanshme dhe bashkëpunimi ushtarak me struktura të paligjshme në territorin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen rajonale.

“Serbia nuk do ta pranojë këtë në heshtje. Si një shtet që, pavarësisht neutralitetit të tij ushtarak, është aktiv në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve moderne të sigurisë, Serbia ka qenë e gatshme të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit të sinqertë me Kroacinë dhe Shqipërinë. Megjithatë, kjo iniciativë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Prishtinën, përfaqëson provokim të hapur dhe shpërfillje të rëndë të realitetit në terren”, thuhet në deklaratë.

Serbia, sipas deklaratës, pret përgjigje të menjëhershme nga Zagrebi dhe Tirana mbi synimet dhe objektivat e vërteta të kësaj nisme ushtarake “të rrezikshme”.

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i është përgjigjur reagimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila njoftoi se Serbia “nuk do ta pranojë në heshtje” nënshkrimin e deklaratës që forcon bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndaj këtij reagimi të Beogradit është përgjigjur ministri kroat i Mbrojtjes, duke thënë se koha kur shteti fqinj Serbia ka vendosur se çfarë do të bëjë Kroacia.

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë do të bënte dhe si do të funksiononte. Ajo kohë është shumë prapa nesh dhe nuk do të ndodhë më kurrë. Kroacia është shtet i pavarur dhe sovran për 35 vjet, pasi ka kaluar pesë vjet agresion nga pikërisht ajo politikë e Beogradit që komunikon atë që komunikon”, tha ministri kroat, raporton Dnevnik.hr.

Kroacia, sipas tij, do të nënshkruajë memorandume me partnerët dhe aleatët e saj.

“Shqipëria është aleati ynë në NATO, kurse Kosova është vendi ynë mik të cilën ne e kemi njohur. Disa vende të tjera do t’i bashkohen memorandumit tonë. Asnjë letër në atë dokument nuk përmend Serbinë, ndonjë agresion apo ndonjë aktivitet që do të rrezikojë këdo, përfshirë Serbinë”, pohoi Anushiq.

Kroacia, shtoi ai, dëshiron të bashkëpunojë me vendet e tjera dhe të shkëmbejë njohuri me to.

“Kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë dhe do të punojmë me Shqipërinë dhe Kosovën – për të asgjësuar luftën kibernetike, të cilës Kroacia i është ekspozuar prej pesë apo gjashtë vjetësh tashmë, ashtu si Shqipëria dhe Kosova. Ne do të punojmë së bashku për të parandaluar të gjitha këto kërcënime që po ndodhin në territorin e tre vendeve tona. Ky është thelbi dhe Kroacia sigurisht nuk do të kërkojë nga Beogradi se çfarë do të bëjë”, përfundoi ai.

Autoritetet serbe njoftuan më parë se Serbia ishte e gatshme të shqyrtonte bashkëpunimin në mirëbesim me Kroacinë dhe Shqipërinë.

“Mirëpo, kjo nismë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Kosovën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren. Presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet reale dhe qëllimet përfundimtare të kësaj loje të rrezikshme ushtarako-sigurie. Serbia nuk do të lejojë asnjë veprim të njëanshëm që mund të rrezikojë sigurinë e territorit të Serbisë”, tha ministria serbe punëve të Jashtme, përmes një deklaratë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili e nënshkroi deklaratën e bashkëpunimit së bashku me homologun nga Shqipëria, Pirro Vengu dhe atë kroat, Ivan Anushiq, tha se tri vendet nënshkruese angazhohen për avansimin e bashkëpunimit.

“Duke u bazuar në vlerat tona të përbashkëta, në orientimet e njëjta gjeostrategjike dhe në angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve tanë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, tha Maqedonci pas nënshkrimit të deklaratës.

Sipas tij, të tri shtetet do të punojnë që të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, do të angazhohen që të luftojnë kërcënimet hibride si dhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

“Ky bashkëpunim nuk është kërcënim për askënd, por një angazhim shtesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova është më e fortë, rajoni më i sigurt dhe paqja më e qëndrueshme”, tha Maqedonci.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e cilësoi deklaratën si hap të rëndësishëm drejt forcimit të aftësive mbrojtëse, zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimit të ndërveprimit ushtarak në rajon.

“Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin Kosovën në aspiratën e saj për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”, shkroi ai në X.

Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments