7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmePENDAROVSKI PËR GAZETËN KOHA: Pa gjashtë shtetet, nuk na duhet Mini Shengeni

PENDAROVSKI PËR GAZETËN KOHA: Pa gjashtë shtetet, nuk na duhet Mini Shengeni

linku https://www.koha.mk/pendarovski-per-gazeten-koha-pa-gjashte-shtetet-nuk-na-duhet-mini-shengeni/

 01.01.2020KOHA

Integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka asnjë alternativë tjetër, ndërsa Mini Shengeni Ballkanik duhet të përfshijë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe na kthen në shekullin e VIII kur ndarjet ishin të theksuara. Kështu thotë në intervistën e fundvitit për gazetën KOHA, presidenti Stevo Pendarovski, ndërsa flet edhe për atë pse nuk u miratua Ligji për pjesëtarët e UÇK-së, për atë nëse është ende gjallë “gruevizmi”, vlerësimet e Komisionit të Venedikut për Ligjin e gjuhëve dhe shumë tema tjera aktuale

Intervistoi: Destan JONUZI

KOHA: Z. President, do ta fillojmë këtë intervistë me dëshpërimin që na erdhi nga Brukeseli këtë vit. Përskaj gjitha kompromiseve që i kemi bërë si shtet – emri, Marrëveshja me Bullgarinë, qytetarët u zhgënjyen. Për më tepër, presidenti i Francës, Emanuel Makron dy herë radhazi ka përsëritur se për vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të mendohet një Marrëveshje e re, por jo edhe anëtarësim i plotfuqishëm.

PENDAROVSKI: E keqja në gjithë këtë punë është se, kur ishim në prag që të hyjmë në shtëpi dhe duhej ti fillojmë bisedimet, Franca doli me propozim për Metodologji të re. Do të ishte e ndershme për gjithë Ballkanin Perëndimor të na thoshin se duhet Metodologji e re edhe atë nga fillimi i këtij procesi. Ndërsa kështu, Mali i Zi është në procesin e negociatave shtatë vite të tëra, Serbia katër vite e gjysmë, dhe tani Makroni thotë se duhet Metodologjie re e cila do të vlejë edhe për ata. Gjithmonë kur tentoni të rinovoni një pjesë të Bashkimit Evropian në segmentet më të rëndësishme, në atë moment ju fitoni 28 mendime të ndryshme, pasi kështu është organizata. Veçanërisht kur bëhet fjalë për pranimin e anëtareve të reja. Kjo Metodologji e dhënë ka hyrë në binare, nga tetori është propozuar, në nëntor kishte takim të ri në Këshillin për Punë të përgjithshme në Bruksel dhe vetëm se ka dhjetëra vende të cilat kanë shtruar amendamente për atë Metodologji të propozuar nga Franca. Dhe kjo nënkupton se kjo punë mund të zvarritet.

Unë i përmbahem fjalës të cilën ma ka dhënë vet Makroni më herët – se në janar dhe më së voni deri në mars, dëshiron që Komisioni të miratojë Metodologjinë me vërejtje, plotësime, komente nga vendet tjera anëtare dhe më pas – të shkohet në vendim politik për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kështu që presim. Kur vijnë nga një vend i vogël siç është shteti ynë, Shqipëria, por edhe të gjithë ne vendet e Ballkanit Perëndimor jemi shtete të vogla, ju mund deri nesër të zemëroheni dhe grindeni, por përsëri vendimet varen nga të mëdhenjtë. Por kjo nuk do të thotë se ne asgjë nuk duhet të bëjmë! Duhet të bëjmë reformat, duhet ti bindim këto nga jashtë, në Bruksel, se me të vërtet kemi bërë ndonjë punë që askush tjetër nuk e ka bërë – ndryshimin e emrit për shembull. Ky ishte edhe një nga argumentet kryesore kur bisedoja me presidentin Francesë, Makron. Pra Ju thoni që të anëtarësoheni në BE nuk duhet të keni kontest me asnjë vend anëtarë dhe ne e zgjodhëm kontestin me Greqinë, vend anëtarë i BE-së. Edhe për në NATO kjo ishte problem dhe tani jemi para dyerve të saj, ndërsa për në BE – tani thonë se duhet Metodologji të re. Të gjitha konkluzat paraprake të Këshillit të Evropës, tre janë, viteve të fundit pasi që e zgjodhëm kontestin me Marrëveshjen e Prespës për emrin me Greqinë, të gjitha tre Samitet evropiane thonë se kjo është e mjaftueshme dhe asnjë çështje tjetër nuk u përmend.

Nuk u përmend asnjë parakusht, dhe këtu ishte pakënaqësia e qytetarëve tonë. Pse nuk na treguat që në fillim? Se edhe kjo duhet, edhe ajo duhet! Ndryshe, Makroni në takimin e fundit më tha se tanimë nuk është çështja te ne, se ne përmbushët gjithçka që kanë kërkuar, tani çështje është tk ata. Pse te Ju tani, e nuk ishte të themi dy apo tri vite më parë? Pse tani kur ne duhet të anëtarësohemi, pas një kompromisi të madh?!

KOHA: Metodologjia franceze mund të jetë “frenuese” për fillimin e bisedimeve me BE-në?

PENDAROVSKI: Mundet nëse nuk miratohet! Së pari ne duhet të shohim, ndërsa nuk marrim pjesë në këtë proces, si do të duket Metodologjia e re. Të supozojmë se do të miratohet! Franca propozon që në vend të 35 kapitujve, në 7 – gjegjësisht 8 grupe kapitujsh, që ndoshta nuk është me rëndësi dhe e ndryshme nga ajo që ka qenë deri më tani. Megjithatë, ndonjë vend anëtar tjetër mund të shtojë ndonjë çështje tjetër. Nuk është i qartë deri në fund procesi. Do të shkurtohet deri në fund koha për negociata, apo do të nënkupton vazhdim.

KOHA: Nëse miratohet Metodologjia, a e kthen procesin nga e para?

PENDAROVSKI: Për këtë çështje, në takimin që kisha në Paris, e pyeta Makronin se çfarë me vendet të cilat vetëm se janë në fazën e negociatave. Më tha se “ende nuk kemi menduar për këtë çështje”. Megjithatë, logjika thotë se do të vlejë edhe për ato. Mali i Zi ka vetëm edhe një kapitull i cili nuk është hapur, ka shumë të cilat i ka përmbyll. Çfarë me ato njerëz? Mendoj se nuk është korrekte që ndaj atyre shteteve të vësh rregulla të reja loje, para qytetarëve të tyre dhe udhëheqësve politik. Si do të arsyetohen ato para qytetarëve të tyre se tani nuk luhet loja e futbollit me 11 njerëz nga të dyja anët dhe me një refer në terren, por luhet ndryshe. Kjo është shumë problematike! Ne të gjitha premtimet që i kemi dhënë, disa thoshin dhe na kritikonin pse besonim se do të fillojmë bisedime me BE-në, për arsye se nuk mund të fokusohesh në diçka që dikush të ka thënë në margjina të një Samiti, apo kuluare të ndryshme, e ku e di unë e ke kuptuar ose nuk e ke kuptuar. Ne kemi konkluza të Këshillit të Evropës nga para një viti e gjysëm, nga Samiti i Sofjes, Bullgaria ishte nikoqir i “Samitit Ballkani Perëndimor – BE”, thuhet: “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fillojnë bisedimet në qershor të vitit 2019”. Nuk e kam thënë unë këtë ose liderët e Republikës së Shqipërisë. Dhe doli që mos ketë datë për fillimin e negociatave në qershor, për shkak të Budestagut Gjerman, dhe duheshte të ketë në tetor. Dhe në tetor thonë se duhet Metodologji e re. Dhe tani ne jemi si “peshku në tokë”! Si unë tani t’u sqarojë njerëzve të mi këtu se askush nuk na ka gënjyer në ndërkohë, por nuk di se çka ka ndodhur mes tyre brenda, ndërsa ne atje nuk kemi ndikim. Nuk kemi ndikim! Ne jemi jashtë! Nuk jemi anëtare.

KOHA: Bazuar në këtë që thoni, Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE dhe NATO. Ndërkohë që është formalizuar iniciativa e Mini Shengenit Ballkanik! Këtu është përjashtuar Kosova. Mund kjo të ndikojë në proceset integruese të vendit?

PENDAROVSKI: Unë jam i vetmi nga politikanët nga Ballkani Perëndimor, ku menjëherë pas paraqitjes së iniciativës për Mini Shengenin në Novi Sad, kur u takuan presidentët e tre vendeve dhe kryeministrat – kisha rezerva dhe thashë se: “Nëse kjo është kompensim për anëtarësimin e vendit në BE, unë nuk dua ta mbështesë atë”. Ndërkaq më vonë erdhën porosi edhe nga Makroni dhe liderët tjerë evropian, praktikisht nga të gjithë se kjo nuk është kompensim për BE-në. Kjo është parapërgatitje për anëtarësim, pasi nëpërmjet iniciativave rajonale, ti përgatitesh për anëtarësim nesër dhe për bashkëpunim një organizatë të madhe. Mini Shengeni ka dobësi strukturore, probleme sistematike. Nuk mundet vetëm tre nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor të jenë brenda dhe ne të themi se kjo është iniciativë e shkëlqyeshme, ndërsa ne të gjithë jemi fqinjë. Ose të gjithë do të jenë, ose këto iniciativa – tre ndaj tre, apo katër ndaj tre, madje edhe pesë ndaj një – nuk do të ketë. Sepse kjo na kthen në shekullin e XVIII, kur kishte aleanca ballkanike nën ndikimin e forcave të mëdha.

Disa me një palë, e disa me një tjetër, dhe më pas ne në mes vete kacafyteshim. Ajo që është e mirë, është se iniciativa e Mini Shengenit është inicuar nga ballkanasit, nga vet ne. Nuk na ka thënë askush as nga Berlini, as nga Uashingtoni, Parisi… Megjithatë, të gjithë duhet të jenë brenda.

KOHA: Mund të aplikohej edhe modeli ynë, ai i Marrëveshjeve për fqinjësi të mirë?

PENDAROVSKI: Po! Por këto janë Marrëveshje bilaterale. Ne kemi marrëveshje me Bullgarinë, me Greqinë, por mund të nënshkruaj edhe me të tjerët. Kemi marrëveshje më të hershme me Turqinë për partneritet strategjik. E gjithë kjo është mirë, por nuk është keq që të kesh edhe iniciativë rajonale, në të cilën rajoni do të tregojë se dimë të sillemi si evropian. Dekadat e fundit, pas komunizmit, në Bruksel ekziston një mendim se nëse ballkanasve nuk ua “vizaton” diçka, vetë nuk do të dinë të vizatojnë. Ne themi se dimë. Ja si do ja bëjmë! Dhashtë Zoti që të bëhen pjesë e kësaj iniciative të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, shoh që Mali i Zi po kyçet në Mini Shengen. Shpresoj se kur të bëhen të gjitha gjashtë vendet bashkë, duhet që gjatë gjithë kohës të përsërisim një çështje, kjo nuk është iniciativë për zëvendësimin e euro-integrimeve. Kjo nuk është kompensim për anëtarësim në BE. Edhe të gjitha vendet të kyçen nëse kjo është kompensim për euro-integrimet, unë do ti them STOP. Nuk dua asnjë kompensim për anëtarësimin e vendit në BE. Iniciativë rajonale, bashkëpunim rajonal, pse jo?

KOHA: Kur do të ngritet në shtizën e 30 në selinë e NATO-s flamuri i Maqedonisë së Veriut?

PENDAROVSKI: Shumë rëndë mund të përgjigjem në këtë pyetje. Të gjithë ne i përcjellim ndodhitë e brendshme në NATO, dhe dua t’ju them se deri më tani nuk ka ndonjë moment pozitiv në raport me formimin e Qeverisë së Spanjës. Informatat e fundit janë se ndoshta mund të formohet nga mesi i muajit janar, do të jenë edhe gjasat më reale, më të prekshme, që zoti Sançez të formojë Qeveri përfundimisht.

Edhe pse është e pakontestueshme se në këtë moment spanjollët kanë Parlament, por kanë Qeveri teknike, dhe ajo Qeveri teknike nuk mund të propozojë ratifikim të një Marrëveshje kaq të rëndësishme. Ato mund të ratifikojnë ndonjë marrëveshje më pak të vlefshme ndërkombëtare, edhe pse janë Qeveri teknike. Por kjo e jona është shumë e rëndësishme, ka të bëjë me anëtarësimin e një anëtari të ri në një organizatë të fuqishme ushtarako-politike, e cila është më e madhe në botë. Andaj, ky është interpretimi juridik. Megjithatë, ju e dini se edhe pas zgjedhjeve të dyta që i kanë organizuar këtë vit, Parlamenti i tyre është shumë i disperzuar, me shumë parti politike… kanë më shumë deputetë dhe shumë më vështirë është të bësh shumicë. Deri në këtë moment nuk ka shumicë, dhe vetëm prej kësaj varet. Fakt është se kjo është vetëm se një shtyrje teknike, por do të doja që edhe kjo shtyrje teknike të përfundojë sa më parë të jetë e mundur.

KOHA: Liderët evropian vazhdojnë të kenë vërejtje për mungesën e demokracisë, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias etj!

PENDAROVSKI: Vërejtjet janë dhe do të jenë. Unë këtë edhe e kam thënë. Disa pika që ju i përmendët në mënyrë plotësuese do të jenë problem dhe sfidë për ne, sidomos pasi të fillojmë bisedimet me BE-në. Për shkak se deri më tani, të gjitha anëtaret e reja që kanë filluar bisedimet, kanë filluar me kapitullin 23, sundimin e së drejtës. Ky kapitull është edhe më i rëndë për bisedime. Më herët, BE para 15 apo 20 viteve kur pranonte anëtare të reja, thoshte se çështjet më të komplikuara i lëmë për në fund, ndërsa tani çështjet më të ndërlikuara janë në fillim. Nëse ti nuk ke sundim të së drejtës, ti nuk mund të bisedosh për asgjë. Tash në vitet e fundit, edhe mbrojtja e ambientit jetësor është një nga kapitujt kryesor në bisedimet me BE-në, bisedimet për të cilën zgjasin edhe më shumë, kapitulli 27.

Kështu që ka disa kapituj nga të cilët neve nga e para do të kemi kokë dhimbje. Nëse nuk bëjmë reforma në shtëpi dhe nëse në ato reforma nuk i përfshimë njerëzit më të mençur që kemi në shtet… Kjo do të thotë se edhe pushteti edhe opozita, jo shqiptarë, jo maqedonas, por të gjithë, por edhe konsulent të huaj nëse është e nevojshme – për arsye se është e qartë se ky është një proces shumë i rëndë i bisedimeve, ndërsa investimi është i madh. Nëse bazohemi vetëm në atë se vetëm unë i kam fituar zgjedhjet dhe vetëm unë i formojë ekipet negociatore, ndërsa të tjerët kur të vijnë në pushtet të negociojnë ata, do të bëjmë gabim katastrofal. Këto janë bisedime strategjike dhe shumë të rëndësishme dhe për këto çështje duhet të kemi konsensus shtetëror dhe ekipe të përbashkëta për negociata.

KOHA: Jeni të dëshpëruar nga ndodhitë brenda PSP-së?

PENDAROVSKI: Në pjesën e veprimtarisë sime publike, mbi 20 vite jam prezent në media dhe opinion, dhe jo vetëm në vitin 2016 kur PSP-në e mbështetnim me protesta nëpër rrugët e Shkupit dhe gjithë vendit. Nuk kam përjetuar dëshpërim më të madh se sa ky. Kur beson në një projekt politik dhe publik, i cili duhet të jetë për të mirën tonë të përgjithshme, ka pasur shumë të tillë, p.sh Marrëveshjen e Ohrit e kam mbështetur në vitin 2001, nuk jam dëshpëruar edhe sot e kësaj dite mund ta mbrojë për arsye se kam argumente për atë. Marrëveshjen e Prespës gjithashtu… të mos numërojë më mirë! Ka shumë projekte të tilla, Marrëveshje, zhvillime politike. Në vitin 2002 kishim një Ligj për amnisti, dhe neni 1 i atij ligji thoshte se të gjithë që kanë qenë të involvuar në konfliktin e vitit 2001, amnistohen, përveç atyre që mund të kenë kryer krime lufte. Edhe atëherë ishte shumë vështirë për t’u sqaruar, por parakusht është të bëhet pajtimi mes njerëzve, të cilët deri dje janë parë nëpërmjet tutës së pushkës. Edhe sot e kësaj dite besoj në këtë dhe nuk jam dëshpëruar. Rëndë është t’u sqarohet njerëzve, të cilët u janë vrarë të afërmit, familjarët… në dyja anët, dhe tash duhet t’u thuash atyre njerëzve se në emrin e një të mire më të madhe, të pajtohemi përveç nëse dikush ka kryer krime lufte. Shumë është rendë. Por, si projekt është shumë i rëndësishëm në të gjitha vendet pos konfliktuoze. Ndërsa me ndodhitë në PSP, edhe sot e kësaj dite nuk mund të pajtohem dhe të jem i qetë, se si mund të ndodh!

KOHA: Kur jemi te pajtimi, a është bërë gabim që në vitin 2001 është miratuar Ligj për dëmshpërblim vetëm të njërës palë në konflikt? Nëse do të përfshiheshin dyja palët, ndoshta nuk do flisnim edhe sot për pajtim!

PENDAROVSKI: Me gjasë do të flisnim ende, pasi ky proces shumë vështirë ka përfunduar kudo në botë. Flasim për mjekimin e lëndimeve fillestare. Nuk mundet atë lëndim ta mjekosh me lehtësi. Çdo ligj është kompromis, në atë moment e di shumë mirë, sepse kam qenë pjesë e atyre grupeve të punës, kompromis më të mirë se ai që ishte nuk mund të kishim. Pra të amnistohen njerëz, të cilët kanë marrë pjesë në konflikt. Të mos bëhemi naiv, dimë të flasim hapur, disa nga pjesëmarrësit në konflikt janë dëmshpërblyer sipas Ligjit, ndërsa palën tjetër të përfshirë në konflikt në atë kohë nuk ishte e mundur ta fusje në ligj… janë dëmshpërblyer në mënyrë tjetër. Për shumë pjesëtarë të konfliktit që nuk u përfshinë në ligj, është bërë inkluzim, me punësim apo me ndihma sociale. E dimë të gjithë, nuk është fshehtësi. Nuk u quajt “pension luftëtarësh”, por u është ndihmuar atyre njerëzve që kanë humbur një pjesë të familjes, kanë mbetur invalid dhe kështu me radhë. Unë mendoj se në këtë pjesë, i ashtuquajturi partner shqiptar në Qeveri, që ishte edhe atëherë edhe sot, e di shumë mirë se një numër bukur i mirë i atyre njerëzve u është ndihmuar. Jo vetëm amnisti, që dikush nga ata të bëhet politikan dhe ministër, por edhe në pjesën që nënkupton me të vërtet një inkluzim social. Në aspektin social u është ndihmuar qindra e qindra njerëzve, vetëm se nuk ishin të shkruar në atë ligj.

KOHA: A janë krijuar kushtet që të kemi zgjedhje parlamentare më 12 prill?

PENDAROVSKI: Kushte ka! Por ne nuk duhet të shkojmë në zgjedhje të cilat do të jenë nën nivelin e zgjedhjeve të fundit presidenciale. Për herë të parë, pas 30 viteve, opozita, pavarësisht cila është – e ka njohur presidentin dhe rezultatet. Kushte kemi! Ne mund të flasim pa ndalë për listat zgjedhore, nuk kemi regjistrim etj., por mundemi me këtë që është sot Komisioni Shtetëror Zgjedhor profesional, puna e së cilës është vlerësuar mirë nga misionet mbikëqyrëse të OSBE-së dhe ODHIR-it. Kemi edhe elementin shtesë që quhet “Qeveri teknike” e që nga 3 janari formohet dhe ndihmon të kemi balance politik në nivel më të lartë ekzekutiv, që të mos mundet dikush ti shfrytëzojë resurset shtetërore vetëm për vete, andaj edhe opozita futet brenda me 5 apo 6 pozicione, ministra dhe zëvendësministra. Mendoj se kjo është një zgjidhje e mirë ligjore.

Ndryshe, nuk jam i sigurt nëse do të ketë zgjedhje me 12 prill! Te unë janë dakorduar liderët, por nuk jam i sigurt për arsye se kjo nuk varet nga unë, por varet nga vullneti i 61 deputetëve se a do të votojnë që ta shpërbëjnë Parlamentin. Megjithatë, nëse më pyesni rreth kushteve për zgjedhje ose më pyetni se a është më mirë politikisht për shtetin që të anulohen zgjedhjet, unë mendoj se nuk duhet të anulohet data për mbajtjen e zgjedhjeve. Madje, edhe nëse futesh në logjikën e partive kryesore që do të garojnë në zgjedhje. Secili ka logjikën e vet partiake. Unë nuk mund të futem në logjikën e tyre deri në fund, por duhet ta dimë se edhe ashtu hyjmë në vit zgjedhor. Do të mbahen më 12 prill apo në tetor, nuk shoh se çfarë mund të fitojë një parti qoftë në pushtet apo në opozitë nëse shtyhen zgjedhjet. E para, jo vetëm që është jozerioze, jo për arsye se janë dakorduar tek unë, por të gjithë partitë relevante parlamentare janë dakorduar që zgjedhjet të mbahen më 12 prill. Nuk është serioze të anashkalohet kjo datë. Megjithatë çfarë fitojmë nëse shtyhen për dy vjet?

KOHA: VMRO-DPMNE thotë se nëse fiton zgjedhjet, do ta rikthejë emrin e vjetër të shtetit! Ekziston kjo mundësi?

PENDAROVSKI: Një mundësi e këtillë ekziston edhe po të mos vije VMRO-DPMNE në pushtet. Edhe LSDM dhe BDI të mbeten në pushtet, sipas Kushtetutës, mund ta ndryshojnë Kushtetutën me dy të tretat e votave. Nëse duan edhe tash mund të vendosin dhe thonë “nuk vlen ajo që kemi bërë me Marrëveshjen e emrit”. Megjithatë, të gjithë që jetojmë në këtë shtet, të gjithë qytetarët e dimë se nëse e shohim Marrëveshjen e Prespës në kontekst historik, a ishte i rëndë kompromis. A do të ishte rëndë pa këtë Marrëveshje, gjithashtu PO! Cili do të thotë se do të ishte më lehtë pa perspektivë evropiane?. Të mos gënjehemi! Ti e ke Amerikën, Britaninë, Gjermaninë në NATO, do ti kesh shtetet më të fuqishme partnere, aleate. Nuk është njëjtë që të ballafaqohesh me të gjitha problemet në botën e globalizuar me kaq banorë sa kemi, me rreth 2 milionë. Amerika e Kina nuk po munden vetëm ti zgjidhin problemet, e jo më ne. Tjetër është kur ke në tavolinë edhe 29 aleatë tjerë dhe tjetër është kur je vetëm. Konstatoj se politika logjike, edhe eventualisht nëse nesër ndryshohet pushteti, do të mbisundojë kjo logjikë politike. Për ta bërë këtë ndryshim duhen dy të tretat e votave të deputetëve dhe shumicë Badenteri. Po supozojmë që e ke, çfarë do të bësh me atë vendim? Në të njëjtën kohë, ti je i bllokuar në dy organizatat – edhe në BE edhe në NATO. Po ashtu, në të njëjtën kohë ti je i bllokuar edhe në mënyrë bilaterale. Ti nuk mund të kesh marrëdhënie të mira bilaterale me Bullgarinë dhe Greqinë… Dhe përsëri kthehemi në kohën e Gruevskit kur ishim të izoluar edhe nga rajoni, jo vetëm ndërkombëtarisht. Një shtet i vogël nuk mund të mbijetojë as në aspektin ekonomik nëse nuk është e hapur ndaj botës.

KOHA: E kemi “gruevizimin” ende gjallë?

PENDAROVSKI: Mund të kthehemi në qëndrimet që kishin gjatë zgjedhjeve presidenciale. Ato nuk kanë ndodhur shumë larg, por vetëm para shtatë muajve. Unë e kam thënë këtë edhe në disa raste tjera, se Platforma politike e kandidates së tyre për presidente, ishte Platformë edhe e partisë, e cila e mbështeste zonjën. Mua më habiti për arsye se ishte e ndarë plotësisht nga ambientet reale në të cilin jetojmë. Nuk mund të thuash JO për Marrëveshjen e Prespës, JO për Ligjin e gjuhëve dhe të thuash se “nëse bëjmë shumicë tjetër, në do ti ndryshojmë këto çështje”… Unë mendoj se këtë e bëjnë vetëm njerëz të cilët nuk mund ta njohin realitetin politik në vendin tonë. Kjo është e njëjtë sikur të mbyllesh në ndonjë kabinet, apo shtëpi të mbyllur dhe të mos e dish se çfarë në realitet ndodh rreth teje. Ne ishim të bllokuar nga viti 2008 për anëtarësim në NATO për shkak të problemit me emrin, mezi e zgjodhëm problemin me një kompromis të dyanshëm edhe ne edhe ato dhe e ruajtëm atë që është më e rëndësishme dhe ajo shihet. Jo vetëm që mendoj se është ruajtur identiteti, por nëse e sheh – në Kombet e Bashkuara shkruan gjuha maqedonase, është ruajtur dhe ndëkombëtarisht është verifikuar.

KOHA: Si i lexoni vlerësimet e Komisionit të Venedikut për Ligjin për gjuhën shqipe. U është dhënë më shumë të drejta shqiptarëve se sa duhet?

PENDAROVSKI: Komisioni i Venedikut nuk thotë se shqiptarëve u janë dhënë shumë të drejta. Nuk thotë të kthehen të drejtat prapa se shumë ju keni dhënë. Të drejtat që janë dhënë në këtë fushë janë më të larta nga të drejtat evropiane dhe na lavdërojnë për këtë. Nuk thonë se jeni për kritikë, por thonë se si një qytetar i zakontë shqiptar, në procedurë të të rëndomtë administrative, me të vërtet duhen resurse dhe se këtu duhet që Ligji të korrigjohet, por jo të shfuqizohet. Ti nëse do – mund ta shfuqizosh, por çfarë bëjmë se? Ligji është për inkluzim më të madh të shqiptarëve në shoqëri, në sistem. Nëse do që përsëri ti kthejmë në margjinat dhe përsëri të kemi debate të hapura dhe kontekste etnike, nuk e di se kujt i shkon për shtati kjo. Ajo më habit.

KOHA: Z.Penderovski, ende kemi gjuhë urrejtje dhe thirrje nacionaliste nga grupe tifozësh. Ç’thoni ju për këtë?

PENDAROVSKI: Në muajin gusht, vetëm se dy muaj prej kur e mora detyrën e presidentit, bashkëpunëtorëve të mi më të afërt u dhashë për obligim që ato tifozë të rinj ti tubojmë në rezidencën time, jo para kamerave, jo të pajtohem, por të pimë një kafe dhe të bisedoj me ata si president. Cili është problem ku mund unë të ndihmojë! Nga gushti merremi me këtë çështje, dhe në fund – para dhjetë ditëve, kemi caktuar takim me secilin prej tyre. Dhe tani nuk di ndoshta se jemi në fazë para zgjedhjeve, dhe përnjëherë filluan të më kërcënojnë me kushte politike, jo vetëm një po disa grupe tifozësh. Thonë se nuk mund të vijnë në takim në rezidencën time, për arsye se shkruan “Presidenti Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Të kishim ne si shtet politika të mençura në vitet e 90’, do ti iknim edhe konfliktit të vitit 2001 dhe tashmë do të ishim vend anëtar i BE-së, ndërsa në minimum – në aspektin ekonomik do të ishim dyfish më të fuqishëm, si dhe numri i njerëzve që kanë ikur nga vendi do të ishte më i vogël.

KOHA: Do të jetë 2020-a vit më i begatë për Maqedoninë? Në planin ekonomik, politik…

PENDAROVSKI: Për më të begatë, nuk e di. Për arsye se prej kur dimë për vetveten, kur jemi bërë qytetar të moshës madhore, gjithherë kemi jetuar në një varfëri. Asnjëherë nuk kemi pasur mjaftueshëm. Po ajo që e dëshirojë për të gjithë qytetarët, por edhe për shtetin, edhe për familjen time, tuajën dhe gjithë familjeve në vendin tonë, është që të jetë vit i qetë si kjo paraprakja, të gjitha grindjet dhe mospajtimet ti zgjedhim në institucionet e sistemit dhe me dialog. Për arsye se në rrugë dhe male asnjë problem nuk do zgjidhet. Kjo është një dëshirë e imja. Unë shpresoj që këtë do ta arrijmë – ta bëjmë dhe shteti në këtë aspekt të jetë i qetë me gjithë zgjedhjet parlamentare për të cilat shpresoj se do ti organizojmë në një nivel dinjitozë evropian.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments