Nënkryetarja e Lëvizjes Besa, parti në pushtet, Besa Kadriu ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski ku thotë se “për veshi do t’i nxjerrim nga shtëpitë“, transmeton TV21.
Kadriu thotë se “Qeveria ka standarde të dyfishta dhe ikë nga përgjegjësia!” dhe deklaratat e kryeministrit sipas saj “kanë treguar qartë mungesën e një qasjeje shtetërore dhe strategjike”.Ajo kërkon që të adresohet përgjegjësia në Qeverinë aktuale, duke kritikuar poashtu gjuhën e Mickoskit.
“Në vend që të adresojë përgjegjësinë e qeverisë aktuale për dështimet institucionale dhe lëshimin e licencave në mënyrë të papërgjegjshme, ai vazhdon të zhvendosë fokusin te e kaluara.Nuk ka dyshim që ata që kanë dhënë licenca duhet të mbajnë përgjegjësi, por a nuk është po aq e rëndësishme të flitet për përgjegjësinë e sotme?
Gjithashtu, gjuha publike e përdorur nga kryeministri është në nivel të ulët, me një ton të qartë nacionalist në sfond. Kjo qasje jo vetëm që nuk sjell zgjidhje, por thellon përçarjet dhe largon institucionet nga funksioni i tyre real. Ajo që është vërejtur që në fillim të kësaj qeverisjeje është një prerje e qartë e qasjes në institucionet kyçe për shqiptarët.Ky devijim i politikës dhe mungesa e drejtësisë nuk mund të çojnë askund tjetër veçse në destabilizim dhe ikje nga përgjegjësia.
Në vend të retorikave të zbrazëta dhe akuzave ndaj të kaluarës, kjo qeveri duhet të tregojë ndryshim në qasje, të krijojë strategji të reja dhe të garantojë drejtësi për të gjithë qytetarët. Përndryshe, politika e përjashtimit dhe shmangies së përgjegjësisë do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin e vendit!”, thotë më tej Kadriu.
Këtij reagimi ajo ia ka bashkëngjitur një fotografi ku shkruan:
“Të më urreni nuk e kam problem, ajo që më pengon është të më duani rrejshëm”.
