Vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të blinte një makinë të re Tesla, u shfaqën raportime se Elon Musk po shqyrton një donacion prej 100 milionë dollarësh për komitetin politik të Trump-it.
Sipas dokumenteve federale, Musk, i cili tashmë është një nga donatorët më të mëdhenj të fushatës së Trump-it, ka dhënë mbi 290 milionë dollarë për ta mbështetur atë dhe aleatët e tij republikanë gjatë zgjedhjeve të vitit 2024. Përmes superkomitetit të tij politik America PAC, ai ka dhuruar më shumë se një çerek miliard dollarë.
Burime për New York Times kanë konfirmuar se Musk ka sinjalizuar në ditët e fundit planin për të dhuruar 100 milionë dollarë në super PAC-in e Trump-it. Ky është një komitet që mund të mbledhë fonde të pakufizuara nga individë dhe korporata për të mbështetur fushatat politike, por nuk mund të koordinojë drejtpërdrejt me kandidatët.
Sipas Axios, Musk ka diskutuar planet e tij për donacionin me Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu, ai dhe bashkëpunëtorët e Trump-it kanë lënë të kuptohet se donacioni mund të shkojë në organizatat Make America Great Again Inc. dhe Securing America Greatness, e cila drejtohet nga ish-zëdhënësi i Trump-it, Taylor Budowich.
Në total, këto grupe kanë grumbulluar rreth 500 milionë dollarë për të forcuar shumicën republikane në Kongres deri në zgjedhjet e vitit 2026 dhe për të lobuar në favor të politikave të Trump-it.
Lajmi për donacionin e mundshëm u shfaq pasi Trump premtoi të blinte një Tesla Model S të kuqe, ndërsa sulmonte protestuesit kundër kompanisë së Musk-ut. Më vonë, ai organizoi një ekspozitë të Tesla-s në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku prezantoi pesë modele të ndryshme të makinave elektrike.
Trump gjithashtu mbrojti Musk-un, duke thënë se ai ishte trajtuar “në mënyrë shumë të padrejtë” dhe se protestuesit që kishin vandalizuar makinat Tesla ishin “terroristë të brendshëm”.
Këto zhvillime vijnë pasi aksionet e Tesla-s ranë me 15% në tregun e aksioneve, duke shënuar ditën më të keqe që nga viti 2020. Ndërkohë, protestat “Bojkoto Tesla-n” janë përhapur në disa qytete amerikane, ku disa nga sallonet e Tesla-s dhe stacionet e karikimit janë bllokuar ose vandalizuar nga kundërshtarët e Musk-ut.