18.2 C
Tetovo
E mërkurë, 12 Mars, 2025
BallinaLajmeRutte: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për Banjskën

Rutte: Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për Banjskën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit. Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai ka folur për praninë e KFOR-it, sfidat e sigurisë dhe perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Rutte theksoi se NATO ka rritur praninë e saj në Kosovë pas sulmit në Banjskë dhe se vazhdon të monitorojë nga afër situatën për të parandaluar çdo përshkallëzim të tensioneve. Ai theksoi rëndësinë e rifillimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe shprehu mbështetjen për të gjitha përpjekjet që çojnë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.Kjo është vizita juaj e parë që nga emërimi si udhëheqës i NATO-s. Filluat me vizitën në Bosnjë dje, ndërsa sot jeni në Kosovë. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite, si dhe si shkuan takimet me liderët?

Rutte: Po, kam marrë pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s më 1 tetor, e që atëherë kisha vendosur që të vizitoj rajonin, Ballkanin Perëndimor, sigurisht për faktin që NATO ka prani të madhe këtej, si dhe mendoja që do të ishte mirë të flisja me lidershipin politik në rajon. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Bosnjë e Hercegovinë, sidomos rastin gjyqësor ndaj presidentit Dodik të Republikës serbe atje, kishte edhe më shumë rëndësi që të vija këtu. Bisedat shkuan tejet mirë, dhe ajo që jam përpjekur të theksoj para gjithë liderëve politikë ka qenë që ta kenë të qartë që unë do të jem i barabartë në qasje, kështu që kur kam kërkesa për një vend, do t’i kërkoj edhe dy vendeve të tjera, pra nëse kërkojmë diçka në Bosnjë e Hercegovinë, do të kërkojmë edhe në Kosovë dhe Serbi. Po ashtu kam pasur një telefonatë javën e kaluar me presidentin Vuçiq të Serbisë, e ky i fundit mbase do të më vizitojë në të ardhmen, mbase edhe që javën e ardhshme, apo një javë më vonë, në Bruksel. Kështu, do të kem qasje të barabartë. Takimet kanë shkuar mirë, është e qartë që njerëzit janë të brengosur për shkak se shohin që tensionet janë në ngritje, e njëkohësisht, njerëzit kanë ndjesinë që ka një mundësi të stërmadhe, marrë parasysh që tashmë është vendosur një lidership i ri në Evropë, në NATO, por edhe në rajon, ka një ndjesi të re të urgjencës që të arrijmë zgjidhje më të qëndrueshme. Kështu, ka brengosje, por edhe shohim mundësi.

Shumë ndryshime kanë ndodhur, edhe pas zgjedhjes së Donald Trumpit si president i SHBA-së. Zyrtarët amerikanë kanë përmendur mundësinë e tkurrjes së pranisë ushtarake në Evropë. Nëse ky plan ec përpara, a ekziston mundësia që trupat amerikanë të tërhiqen nga KFOR-i?

Rutte: Më së pari, duhet të pajtohemi se që nga ardhja e presidentit Trump, në mandatin e tij të dytë, mendoj që ai ka thyer ngërçin e Ukrainës. Mendoj që kjo ka qenë tejet e rëndësishme, pra është me rëndësi që ka pasur takime midis ekipeve amerikane dhe atyre ruse, e ndërsa po flasim mu tani, po mbahet një takim në Arabinë Saudite midis ekipit amerikan dhe Ukrainës. Mendoj që duhet të jemi optimistë, por të matur. E di që të gjitha palët në anën ukrainase, e edhe atë amerikane, të gjithë duan ta çojnë Ukrainën drejt një paqeje të qëndrueshme e afatgjatë, e ky besoj unë është ndikim pozitiv. Fakti që SHBA-ja që ka përmendur kërkesën për aleatët evropianë në NATO që të shpenzojnë më shumë, e me kohë, të arrihet ndjesia e barrës së barabartë, pra kur evropianët të arrijnë të paguajnë më shumë, për mbrojtjen e vet, ndërsa SHBA-ja zhvendoset pak më shumë, ta themi, drejt Azisë, edhe kjo është logjike. Por, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, mund të them që në të gjitha diskutimet e mia me amerikanë, ata mbesin tërësisht të përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, vërtet duan të sigurojnë që ky rajon të mbetet stabil, si dhe ta çojnë në një pikë në të cilën largohemi më shumë nga brengat, e shkojmë drejt të siguruarit që mundësitë vërtet të shfrytëzohen plotësisht, e pastaj edhe të zhvillohen tutje ato mundësi.

Është raportuar që presidenti Trump po konsideron ndryshime madhore ndaj pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në NATO. Së voni, ai ka deklaruar që “nëse nuk paguajnë, nuk do t’i mbroj më”, ku po i referohej shteteve tjera anëtare të NATO-s. Çfarë ndikimi do të kishte kjo për Aleancën?

Rutte: Epo, presidenti Trump ka qenë tejet i qartë që nga mandati i tij i parë, që dëshiron që vendet evropiane të shpenzojnë më shumë, e që në mandatin e parë, ai pati sukses: që nga viti 2017, shtetet evropiane të NATO-s kanë shpenzuar 700 miliardë më shumë, 700 miliardë! Gati një trilion dollarë më shumë në mbrojtje sesa në vitin 2017, por që nuk mjafton! Prapë duhet të shpenzojmë më shumë! Megjithatë, shihni vetëm javët e fundit: që nga momenti kur mori prapë Presidencën e SHBA-së, vetëm javën e kaluar kemi parë pako evropiane prej 800 miliardë eurosh, kemi parë Gjermaninë që ka njoftuar, besoj që tashmë është përmendur shuma prej gjysmë trilioni në shpenzime për mbrojtje. Kemi parë edhe Danimarkën, Belgjikën, Republikën Çeke, Mbretërinë e Bashkuar, që kanë njoftuar për gjëra të tilla…

Pra, qëndrimi i tij po i ndryshon gjitha këto?

Rutte: Pra jemi të suksesshëm! Pra, po ndryshon gjithçka, e kjo jo vetëm për faktin që ai është aty, sigurisht që ka qenë nxitës, por edhe për faktin që të gjithë e dimë në Evropë, që për të mbrojtur veten në të ardhmen kundrejt rusëve, duhet të shpenzojmë më shumë, sepse Rusia po shpenzon shumë më shumë në mbrojtje! Çdo vit janë ngritur shpenzimet ruse në mbrojtje. Në anën tjetër pastaj, kemi vende që ende janë nën kuotën prej 2%, e mesazhi im për to është: Sigurohuni që të arrini 2-përqindëshin para Samitit të NATO-s! Sepse sot, jam unë që e bëj këtë thirrje, por që mund të ndodhë që të merrni thirrje nga dikush në Uashington, që sigurisht ka pasur shumë durim, por që mund të jetë i irrituar tashmë.

Po, si dhe kemi parë takimin famëkeq në Zyrën Ovale midis presidentit Trump dhe presidentit Zelensky, e pas tij, u pezullua ndihma ushtarake për Ukrainën. Shihni ndonjë mundësi, së shpejti, për marrëveshje të mundshme paqeje për luftën në Ukrainë, si dhe pastaj, çfarë ndikimi do të kishte kjo për stabilitetin në rajon, apo në situatën globale të sigurisë, e pastaj posaçërisht në vendet tona?

Rutte: Prapë, mendoj që duhet t’i jemi mirënjohës presidentit Trump që ka thyer ngërçin që vazhdonte në Ukrainë. Sepse kjo luftë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, ka tepër shumë njerëz që po humbin jetën, në anën e Rusisë, në anën e Ukrainës, është e pabesueshme. Pra, ai erdhi dhe theu atë ngërç, duke filluar diskutimet me palën ruse dhe atë ukrainase, kjo është pozitive. Jam i bindur që Presidenca dhe vetë Presidenti i Ukrainës duan fort që ta përfundojnë këtë luftë, e të arrijnë paqe të qëndrueshme e afatgjate, e di që SHBA-ja nuk dëshiron të përsëritet ajo që ka ndodhur në vitet 2014-2015, kur patëm Marrëveshjen e Minskut, e cila u shkel përsëri nga pala ruse. Kështu, duhet të ketë paqe të qëndrueshme. Putini nuk mund ta provojë këtë edhe një herë. Të gjithë e dimë që kur bëhet fjalë për Ukrainën, ekziston vetëm një palë që dëgjon me shumë vëmendje, e kjo palë është Sekretari i Parë i Partisë Komuniste në Kinë, Shi Xhi Ping, e që ka shumë interesim se kush do të dalë i fituar nga kjo gjë, do të jetë pala ruse apo ajo evropiane/amerikane, sepse kjo gjë mund të ketë ndikim të stërmadh në Paqësor. Kështu, mendoj vërtet që Trump po ec vërtet mirë, ka marrë disa iniciativa të mira, besoj që kjo ka shumë rëndësi, si dhe besoj që kjo do të ndihmojë.

Duke u kthyer prapë tek Kosova, ka një shqetësim në ngritje në diskursin publik për sa i përket stabilitetit dhe sigurisë në vendin tonë. Kosova është mbështetur gjithmonë tek prania dhe përkrahja e NATO-s në Kosovë. A ka plan NATO-ja që të sigurojë sërish qytetarët e Kosovës që prania e NATO-s në vendin tonë do të mbetet e pandryshuar?

Rutte: Kjo është edhe arsyeja pse unë jam këtu! NATO-ja është e përkushtuar për Kosovën, si dhe do të mbetemi të pranishëm këtu, përmes KFOR-it, si dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në Kosovë së voni. Kemi katërfishuar prezencën tonë në veri, kemi trefishuar praninë fizike, ta themi kështu, të KFOR-it në veri, kështu që të gjitha këto janë dëshmi e asaj që KFOR-i synon të qëndrojë si shtyllë e stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin. Besoj kjo është e qartë!

Përmendët veriun, e ajo pjesë e Kosovës ka qenë e brishtë, e sidomos që nga sulmi në Banjskë. Liderët kosovarë kanë shprehur shqetësimet e veta për atë që e konsiderojnë kërcënim të përhershëm nga Serbia. Është ngritur kjo çështje gjatë takimeve tuaja me ta, si dhe cili është mendimi juaj për të?

Rutte: Sigurisht që lidershipi në Kosovë ka ngritur disa nga këto çështje, e kjo është bërë krejtësisht e qartë. Ashtu siç e thashë, jam përpjekur të jem i barabartë në qasje, pra kur kam diskutuar me Aleksandër Vuçiqin, presidentin e Serbisë, apo edhe liderët në Bosnjë e Hercegovinë, jam përpjekur të përçoj të njëjtët mesazhe, që të gjitha kanë të bëjnë përfundimisht me lidershipin politik që duhet të ecë përpara, që ta çojnë këtë pjesë të botës drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore, ashtu që të mund të filloni të fitoni dobinë e potencialit të stërmadh që ky rajon ka! Prapë, përpiqem të jem sa më i drejtë, e jo vetëm unë por edhe Bashkimi Evropian, sepse kemi garniturën e BE-së që punon në dialogun Beograd-Prishtinë, kemi Kaja Kallas, që është Komisionerja e re, apo Përfaqësuesja e re e Lartë për Politikë të Jashtme, kemi Ursula von der Leyen, që ka rifituar mandatin e saj, lidere e fuqishme, si Presidente e Komisionit… kështu që mendoj që jemi në një moment në të cilin mund të bëjmë hapat vijues.

Çfarë ndryshimesh do të duheshin bërë në dialog midis Kosovës e Serbisë?

Rutte: Do të ishte mirë që të rifillonte, që të kemi së pari dialog, e kjo sigurisht që do të thotë se është e rëndësishme që Serbia të ofrojë llogaridhënie për atë që ka ndodhur më 2023, por po ashtu është e rëndësishme që Kosova të përmbahet nga veprimet e njëanshme. Kështu që këto veprime që ndërtojnë besimin janë shumë të rëndësishme si lloj starti, krijim i bazës për diskutime të vazhdueshme, prapë, nën udhëheqjen e Z. Sorenson, që sapo është zgjedhur për të udhëhequr këtë dialog Prishtinë-Beograd.

Ju përmendët Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që së voni ka prezantuar “Planin Evropian të Riarmatimit”. Cili është mendimi juaj për këtë nismë?

Rutte: Skajshmërisht pozitive! Prapë, kjo është për shkak se, një: Donald Trump, tashmë presidenti nr. 47, që po bën të njëjtën gjë që ka bërë si Presidenti nr. 45, që i bën presion evropianëve dhe Kanadasë që të bëjnë më shumë, e kjo është sigurisht gjë e drejtë, sepse aktualisht, SHBA-ja merr një pjesë më të madhe të faturës për mbrojtje kolektive sesa Evropa, e që duhet të jetë më e balancuar, kështu që barra duhet të jetë e drejtë, e këtu ka të drejtë… por po ashtu, sepse e dimë në thelb, që rusët përbëjnë kërcënim më të madh ndaj mbrojtjes kolektive të Evropës sesa që ka qenë 10 apo 20 vjet më parë, e kjo duke marrë parasysh paratë që shpenzojnë në mbrojtje, marrë parasysh edhe prodhimtarinë e industrisë ushtarake, që është ngritur në përmasa. Pastaj shohim Kinën që po bën investime masive po ashtu. Kështu, për këto dy arsye, isha fort i gëzuar për shpalljen nga Ursula von der Leyen, sidomos për pakon prej 800 miliardë dollarësh, e cila besoj është vërtet dëshmi e BE-së që e merr këtë punë fort seriozisht!

Cili është vlerësimi juaj për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe si e shihni rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s? Në takimin tuaj me presidenten Osmani, ajo theksoi që është tashmë koha që Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate?

Rutte: Po, e kam të qartë çështjen, sigurisht, ka disa çështje që ende duhet t’i trajtojmë, sidomos me katër shtetet mos-njohëse, duhet ta keni të qartë që Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e kanë njohur Kosovën, e kjo është çështja e parë që duhet ta trajtojmë. Por, edhe derisa merremi me ato çështje, të konsiderojmë si fakt që Kosova dhe NATO-ja janë duke punuar së bashku fuqimisht, po punojnë tepër mirë bashkë, NATO-ja është shumë e angazhuar në zhvillimin e FSK-së në detyrat e veta humanitare, në kuadër të mandatit të vet, e kjo besoj është gjë tejet pozitive, pra ka shumë gjëra të mira që janë duke ndodhur.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments