Bllokimi i ligjeve të rëndësishme në Kuvend, tashmë është një arsye tjetër për të cilën LSDM-ja do të shtyjë zgjedhjet e 12 prillit. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja nuk do të jenë logjike nëse nuk miratohen këto ligje të cilat konsiderohen si thelbësore.
Ligjet thelbësore, nëse nxisin çfarëdo ngadalësimi të pensioneve, të transferimeve sociale, të rritjes së pagave, të të gjithë asaj që prek jetën e qytetarëve, atëherë zgjedhjet edhe mund të shtyhen. Këtë sot nuk e dërgoj si kërcënim sepse përgjegjësia e secilit deputet qoftë nga pushteti ose nga opozita, është edhe përgjegjësi e qeverisë dhe vetëqeverisjes lokale dhe të gjithë atyre që marrim rrogë nga qytetarët – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.
Zaev, megjithatë, shton se nuk do të pëlqente që zgjedhjet të shtyhen por që zhbllokimi të vijë nëpërmjet debatit. Me ose pa këto ligje, partneri i koalicionit, BDI, deklarohet e gatshme për zgjedhjet e 12 prillit.
Me miratimin e ligjeve ose pa miratimin e ligjeve, BDI-ja do t’i fitojë këto zgjedhje për arsye se ashtu duan qytetarët dhe me fitoren e BDI-së më 12 prill do të fitojnë, jo vetë shqiptarët, por të gjithë qytetarët e vendit tonë, ndërsa, edhe ato ligje të cilat janë në procedurë, po qe se kemi vullnet politik ndërmjet partive politike parlamentare, atëherë do të mund të arrihet që të miratohen para 12 shkurtit, para se të shpërndahet parlamenti – deklaroi Atan Grubi, BDI.
Opozita vlerëson se ky është një tentim tjetër i kryeministrit për të ikur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zaev do të kërkojë tre mijë mënyra të mundshme se si t’i shtyjë zgjedhjet. Gjatë gjithë kohës përpiqet të fusë sherrin edhe në Kuvend, edhe mes partnerëve të koalicionit në Qeveri, edhe me ide të ndryshme, vetëm për të ikur nga zgjedhjet. Me siguri, dje ka marrë anketa të reja dhe ka parë se mbështetja që ai ka, po bie. Ne kurrë nuk kemi bërë problem në Kuvend për ligjet thelbësore por bëjmë problem për shkeljen e Rregullores – tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Arsyetimi i kryeministrit se duhet të sillen disa ligje ose propozim/ligje substanciale nuk qëndron sepse kryeministri ka pasur kohë, Qeveria ka pasur mjaft kohë që projektet e veta t’i dorëzojë në Kuvend dhe të kalojnë me një procedurë normale dhe jo ditën e fundit siç ishte dita e djeshme me një seancë me 123 pika – deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.
Në Kuvend, për momentin, kanë mbetur pa miratuar më shumë se 100 ligje, për shumë prej të cilave opozita konsideron se nuk janë respektuar procedurat e parapara në Rregullore dhe nuk mbështet miratimin e tyre. Madje në debatin e ditës së parë, u deshën mbi pesë orë diskutim vetëm për rendin e ditës kurse seanca është ndërprerë rreth mesnatës. Më herët, kryeministri Zaev kishte deklaruar se zgjedhjet e 12 prillit mund të shtyhen nëse nuk përfundon në kohë procedura e ratifikimit të marrëveshjes për anëtarësim të plotë në NATO.