Elon Musk ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump ra dakord që Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar duhet të “mbyllet”, pas disa ditësh spekulimesh mbi të ardhmen e agjencisë pasi financimi i saj u bllokua dhe dhjetëra punonjës të saj u lanë në pushim.
“Për sa i përket çështjeve të USAID-it, unë e diskutova atë me (presidentin) në detaje dhe ai ra dakord që ne duhet ta mbyllim atë”, ka deklaruar Musk në një bisedë në X Spaces herët të hënën.
Musk ka thënë se ai kontaktoi me Trump “disa herë” dhe Trump konfirmoi se dëshiron të mbyllë organizatën, e cila shpërndan miliarda ndihma humanitare dhe fonde zhvillimi çdo vit.
Të dielën në mbrëmje, përpara bisedës X Spaces, kur iu kërkua koment për USAID-in, Trump u tha gazetarëve: “Është drejtuar nga një grup i çmendurish radikalë dhe ne po i nxjerrim ata jashtë dhe më pas do të marrim një vendim” në të ardhmen.
Komentet e Musk vijnë pasi dy zyrtarë të lartë të sigurisë në USAID u lëshuan në leje administrative të shtunën mbrëma për refuzimin e anëtarëve të Departamentit të Efiçencës së Qeverisë për akses në sistemet e agjencisë, edhe kur personeli i DOGE kërcënoi të thërriste forcat e rendit, thanë burime të shumta të njohura me situatën për CNN.
Rreth 60 punonjës të lartë të USAID-it u lanë në pushim javën e kaluar me akuzat për përpjekje për të anashkaluar urdhrin ekzekutiv të Trump për të ndërprerë ndihmën e huaj për 90 ditë.