Sigurimi i fondeve për gjurmime arkeologjike në Kalanë e Tetovës, restaurimi i saj dhe krijimi i teatrit veror në kuadër të kalasë mbeten premtime të pa realizuara të Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend investime për Kalanë e Tetovës.
Te pjesa e kulturës, konkretisht në faqe 10 të programit thuhet:
- Sigurimin e fondeve për gjurmime arkeologjike në Kalanë e Tetovës dhe restaurimin e saj. Qëllimi: ta mësojmë të kaluarën e tetovarëve, kalaja të kthehet në atraksion turistik dhe kulturor për vizitorët e huaj dhe vendas, do të rris mirëqenien ekonomike të qytetarëve.
- Në kuadër të kalasë do të ndërtojmë teatër veror, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike.Por, tre vite e disa muaj më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren.
- Pyetëm Kasamin se pse nuk janë realizuar këto premtime. Për sigurimin e fondeve për gjurmime arkeologjike dhe restaurimin e kalasë ai u arsyetua se ka probleme formale-juridike.
- “Aty ka një tjetër problem formalo-juridik që sipas informatave ne që i kemi, le që si objekt është i mbrojtur nën Agjencionin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, për më shumë një pjesë e madhe e territorit brenda kalasë është pronë e Kishës Ortodokse Maqedonase, ku çdo proces duhet të bëhet në koordinim edhe me ata. Pra është proces në të cilin Komuna e Tetovës veç mundet të kontribuojë dhe ne jemi të interesuar të kontribuojmë, kemi treguar në këtë periudhë këtë interesim, por ne nuk mund të jemi bartës të këtij procesi”, tha Kasami.
- Ndërsa për teatrin veror në kuadër të kalasë Kasami përsëriti të njëjtin qëndrim.
- “Po përsëri është çështja formale me të cilën do duhet të gjejmë zgjidhje formale me këto dy institucione të cilat i përmenda të cilat juridikisht janë përgjegjës dhe janë në këtë rast një pjesë edhe pronarë. Nga momenti kur do e zgjidhim këtë çështje ne si Komunë e Tetovës jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë”, tha Kasami.
- Nga ana tjetër nga organizata kulturore HUTA kërkojnë që institucionet të investojnë në Kalanë e Tetovës.
- “Kalaja e Tetovës është dhe mbetet perla e turizmit kulturor të Tetovës, që jo vetëm institucionet po dhe vet qytetarët duhet të kontribuojnë në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj. Shpresojmë që me qeverinë e re të ketë përmirësime në Kala”, tha Roni Kadriu, kryetar i HUTA-s.
- Kujtojmë që premtimet për investimet në kalanë e Tetovës në të kaluarën i ka shkelur edhe BDI. Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve parlamentare ata premtuan investime në Kalanë e Tetovës ku parashihej rikonstruimi, konservimi, restaurimi dhe revitalizimi i saj, por asnjë nga këto nuk u bë. Edhe në të kaluarën BDI ka pasur premtime për Kalanë e Tetovës, por pa rezultat.
- Sot Kalaja e Tetovës vazhdon të mbetet një vend i braktisur, pa përkujdesje si dhe i lënë në harresë në vend se të ishte një lokalitet turistik atraktiv.
- Kalaja është e dëmtuar dhe e shkatërruar në shumë vende, nuk ka ndriçim, infrastrukturë e dobët, aty shihen mbeturina, qen endacak, kafshë që kullotin dhe të tjera. Muret e kalasë janë të dëmtuara edhe nga brenda si dhe me mbishkrime të ndryshme.
- Institucionet nuk e vrasin fare mendjen që t’i rikthejnë shkëlqimin këtij lokaliteti historik e kulturor, por e kanë lënë në harresë.
- Përndryshe, Kalaja e Tetovës u ndërtua në vitin 1820, nga ana e Abdurahman Pashës. Sipas disa të dhënave gojore thuhet se fillimin e ndërtimit të këtij monumenti e nisi Rexhep Pasha i ati i Abdurahman Pashës dhe ndërtimi i saj zgjati afër 20 vjet. Pjesa e brendshme ka pesë saraje, kuzhina të mëdha, banja dhe një pus në mes të kalasë. Paraqet një ndikim të dukshëm të arkitekturës Osmane. Gjatë luftërave të ndryshme ajo pësoi rrënime të shumta.