-4.6 C
Tetovo
E diel, 12 Janar, 2025
BallinaLajmeZvarritet ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë 

Zvarritet ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë 

Pavarësisht se kanë kaluar më tepër se katër muaj që kur u themelua grupi punues për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, ende nuk ka asgjë konkrete nga kjo nismë. Për kryetarin e Komunës së Tetovës kjo paraqet një proces kompleks. Ndërkaq kësaj nisme i është bashkuar edhe opozita në Këshillin Komunal. Nuk ka afat konkret se kur do të përfundojë ky proces, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk. 

Ndonëse u premtua shumë dhe me vrull të madh, nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve tani për kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasamin paraqet proces më kompleks. “Një punë që nuk është bërë për 30 vite nuk mund të pritet të bëhet shpejtë. Fillimisht ka pasur një komision i cili ka bërë regjistrimin, skanimin e të gjithë rrugëve, ky komision e ka bërë punën e Agjencionit të Kadastrës, sepse në kuadër të Agjencionit të Kadastrës është regjistrimi i rrugëve dhe futja në një aplikacion i cili është në kuadër të agjencionit, për shkak se ky agjencion nuk e ka bërë punën e vet është dashur komisioni komunal të bëjë regjistrimin e rrugëve, skanimin e rrugëve dhe të vijë deri te faza e përpilimit të listës së rrugëve të cilat do duhet të emërohen dhe e cila është më ingerencë e jona”, tha Kasami. 

Kasami tha se kjo nismë është problematikë pak më e komplikuar dhe se punët vazhdojnë, por nuk përmendi afat se kur pritet të përfundojë ky proces.  “Kam pasur takim me komisionin, ata kanë ofruar një propozim draft të metodologjisë se si do të bëhet emërimi i rrugëve ku është paraparë që i gjithë ky proces të jetë transparent, edhe opinioni të konsultohet sa i përket propozimeve që mund të kenë për emra të rrugëve. Nga momenti që do ta kenë të gatshëm shpalljen, do ta publikojmë në të gjitha mediumet zyrtare dhe do të vazhdojë si proces“, tha Kasami. Kësaj nisme i është bashkuar edhe opozita në Këshillin Komunal të Tetovës. Liridon Disha nga BDI thekson se duke e marrë parasysh faktin se Tetova ka shumë rrugë të cilat nuk kanë emra, por janë të shënuara me numra, iniciativën për vendosjen e emrave këtyre rrugëve e mirëpritën dhe e përkrahën bashkërisht.

“Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë i kyçur direkt në këtë proces përmes Këshilltarit Veton Murati i cili ka dërguar një listë emrash veprimtarësh të cilët ne i kemi seleksionuar përmes një bashkëbisedimi me esnafë të qytetit dhe intelektualë e njohës të mirëfilltë të familjeve e individëve që kanë dhënë kontribut për Tetovën dhe shqiptarët në përgjithësi”, tha Disha.

Aktualisht sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim. Grupi punues për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës u themelua më 26 gusht 2024,Ky grup punues përbëhet nga këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visar Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM). Anëtarë të tjerë janë: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani.

 Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse. Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës. 

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë. Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments