Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot para mediave është prononcuar edhe për refuzimin e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova për ta nënshkruar dekretin për Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në të cilin konteston dispozitat që u referohen licencave për edukatorë në dy gjuhë
Siç tha Mexhiti, presidentja konteston nenin i cili parasheh që edhe maqedonasit ta marrin në dy gjuhë licencën, në vende me shumicë maqedonase, si: Strumica apo Prilepi. Kjo sipas presidentes nuk është në përputhje me Ligjin për gjuhët dhe me amendamentin e Kushtetutës së RMV-së.
“Për hir të së vërtetës, duhet ta shohim se si ka qenë situata deri më tash. Edhe provimi edhe licencët janë dhënë krejtësisht në gjuhën maqedonase, edhe nëpër vendbanimet shqiptare. Ndërsa, me Ligjin të cilin e propozon ministri Fatmir Limani garantohet në çfarëdo forme që për herë të parë provimet të jenë në gjuhën shqipe dhe licencat të merren edhe në gjuhën shqipe. Pra, kjo praktikë deri tash nuk ka qenë. Ky është avancim i përdorimit të gjuhës shqipe”, tha Mexhiti.
Mexhiti ka garantuar se çdo i punësuar shqiptar në çerdhe, provimin do ta ketë në shqip dhe licencën do ta merr në gjuhën shqipe dhe jo si deri tash që e kanë marrë edhe punëtorët shqiptarë në gjuhën maqedonase.