Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka kërkuar nga institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut që të mos pranojnë në objektet e tyre dy personat tashmë të përfshirë në listën e zezë amerikane, Artan Grubin dhe Koço Angjushevin, transmeton Portalb.mk.
“Universitetet të mbajnë larg Artan Grubin dhe Koço Angjushevin nga objektet e tyre dhe t’i mbrojnë studentët nga këta persona njëjtë siç do t’i mbronin ata nga kriminelët e rrezikshëm; pasi ata u përfshinë në listën e zezë amerikane pikërisht për kryerje të krimeve serioze, të cilat mund të përsëriten, nëse nuk parandalohen”, kërkoi Forumi.
Ata vlerësojnë se prezenca e këtyre dy personave në arsimin e lartë, komprometon vlerat themelore akademike.
“Artan Grubi ka kërkuar që t’i aktivizohet marrëdhënia e punës në Universitetin e Tetovës ndërsa aktualisht është në proces të marrjes së titullit docent, në fakultetin juridik, drejtimi gazetari”, njoftojnë nga Forumi.
Ky Forum kërkoi nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” që të largojë nga puna Koço Angjushevin, i njohur si sinonim i korrupsionit.
Ndryshe, tri ditë pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë Amerikane për përfshirje në korrupsion, Artan Grubi më 11 dhjetor njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga jeta publike.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.