Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski as nuk pohon dhe as nuk mohon që Artan Grubi të jetë ftuar në bisedë informative në polici si organizator potencial i disa prej incidenteve gjatë festimit të 28 Nëntorit. I pyetur për lidhjen e personave të privuar nga liria me ish zv.kryeministrin e parë dhe fotografitë e përbashkëta të tij me disa prej tyre, Toshkovski shkurt tha se “Nuk do të doja të tregoj në këtë moment më shumë informacione që lidhen me pjesën tjetër të hetimit”.
VLEN ditë më parë akuzoi publikisht që personat që dogjën flamurin maqedonas janë të afërt me Grubin kurse Grubi në rrjetet sociale, shkroi “demantoj në formën më të ashpër të mundshme çdo ndërlidhje timen monstruoze dhe propaganduese me ngjarjet e 28 nëntorit”.
Policia gjatë ditëve të fundit ndaloi 17 persona. Toshkovski thotë se shumë prej tyre janë të mitur kurse edhe ata të moshës madhore nuk janë më shumë se në të njëzetat. Tre prej tyre janë në paraburgim kurse janë dorëzuar edhe disa kallëzime penale në prokurori. Për personat e mitur procedura është e ndryshme dhe do të dorëzohen kallëzime penale në përputhje me procedurat për persona të mitur.
3 nga personat e ndaluar janë për djegien e flamurit shqiptar në Prilep, njëri është për dëmtimin e simboleve serbe në Kumanovë dhe një tjetër në Kërçovë për përdhosjen e të dy flamujve njëkohësisht, atij shqiptar dhe atij maqedonas. Toshkovski, në intervistë për “Lider” sqaron se procedura penale është e njëjtë për përdhosjen e të dy flamujve shqiptar apo maqedonas.